Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin: “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve e hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, hetuesve, prokurorëve e gjyqtarëve me etikë profesionale.
Sipas autorit, libri ka ardhur si rezultat i punës shumëvjeçare në gazetari, e ndërtuar nga përvoja e gjatë edhe gjatë raportimit nga fusha të ndryshme nga tereni, duke përfshirë këtu qindra procese e seanca gjyqësore, edhe të karakterit ndërkombëtar.
“E kam parë të udhës që ky libër të dali në dritë dhe t`i prezantohet studentëve të gazetarisë, ekspertëve dhe studiuesve të kësaj fushe, redaktorëve e kryeredaktorëve të medias së shkruar dhe asaj online, me të vetmin qëllim dhe synim, që të njohim profesionalisht problemin dhe mënyrën e të raportuarit për situatat e ndjeshme e të jashtëzakonshme”, ka thënë profesori Sabedini.
Profesori Musa Sabedini ka theksuar se raportimi për situatat e ndjeshme, pastaj raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë.
“Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale dhe të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është pak e mundimshme në rrafshin profesional. Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve”, është shprehur Sabedini.
Ndryshe botues i librit është UBT dhe i ka 532 faqe, teksa recensentë të librit janë profesorët Ahmet Maloku dhe Safet Zejnullahu, sipas të cilëve libri është kontribut i rëndësishëm në studimin dhe zhvillimin e shkencës së gazetarisë për studimin e asaj dukurie, si dhe do të shërbejë për si literaturë profesionale për një kohë të gjatë.
Profesori Musa Sabedini ka falënderuar rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizin, si dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në forma të ndryshme që ky libër të dale i kompletuar profesionalisht./Katror.info