Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se shërbimi ndërkombëtar i pagesave “Apple Pay” tani është zyrtarisht i disponueshëm në Kosovë.
BQK tha se tashmë bankat dhe institucionet financiare në vend mund të lidhin kartelat e tyre me platformën “Apple Pay”, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë që të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt, përmes pajisjeve të tyre “Apple”.
“Funksionalizimi i plotë i këtij shërbimi për të gjitha bankat dhe institucionet financiare merr kohën e nevojshme mbi bazën e marrëveshjeve të tyre individuale dhe integrimet e nevojshme teknike”- thuhet në njoftim.
BQK e ka quajtur këtë si hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të pagesave dhe përshpejtimit të digjitalizimit në Kosovë.
“Ky sukses është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes BQK-së, sektorit bankar dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”- ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës.
BQK ka falënderuar të gjitha palët e përfshira për kontributin e tyre në këtë proces./Katror.info