Një nga praktikat më të dëmshme të peshkimit, ajo e tërheqjes së rrjetave në fundin e detit (bottom trawling), do të ndalohet në 41 zona të mbrojtura detare në ujërat e thella të Anglisë, njoftoi qeveria britanike.
Ky vendim vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve gjithnjë në rritje për dëmet që shkakton ky lloj peshkimi në biodiversitetin detar – një temë që u vu në qendër të vëmendjes edhe nga dokumentari i fundit i Sir David Attenborough, Ocean, shkruan PositiveNews, përcjell Katror.info.
Jonny Hughes, menaxher i lartë i politikave në Blue Marine Foundation, e mirëpriti ndalimin e propozuar:
“Politikat e mbrojtjes shpesh mbesin vetëm në plane dhe premtime, por ky hap duket se ka synim zbatimin konkret. Duhet të shohim detajet, por në pamje të parë është një zhvillim pozitiv.”
Lajmi u bë publik në të njëjtën kohë me Konferencën Botërore për Oqeanet të OKB-së, ku liderët globalë po inkurajohen të ratifikojnë traktatin ndërkombëtar për mbrojtjen e oqeaneve.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga 115 vende në vitin 2023, dhe synon mbrojtjen e 30% të ujërave ndërkombëtare deri në vitin 2030. Bashkimi Evropian e ratifikoi traktatin në muajin maj./Katror.info