Nëse jeni vazhdimisht të rraskapitur, ndoshta ia vlen të kontrolloni nëse kjo vjen si pasojë e një gjendjeje mjekësore. Sidoqoftë, sipas mjekut të përgjithshëm britanik Dr. Asif Ahmed, përgjigjja nuk është gjithmonë e thjeshtë. Ai sugjeron që kushdo që përjeton disa simptoma të zakonshme, duhet të diskutojë me mjekun mundësinë e një çrregullimi neurologjik funksional (FND). Ky çrregullim lidhet me mënyrën se si truri përpunon sinjalet që merr dhe i dërgon ato në trup, pa dëmtuar në mënyrë strukturore nervat apo trurin.
Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Britanisë (NHS), simptomat që duhen pasur parasysh përfshijnë dobësi të gjymtyrëve, kriza funksionale ose disociative, dridhje të pavullnetshme, çrregullime në ecje (si zvarritje e këmbëve apo lëvizje të tepërta), tikë ose dridhje në muskuj apo fytyrë, rënie të papritura pa humbje vetëdijeje, vështirësi në të folur ose në gëlltitje, marramendje që përkeqësohet në ecje apo në turma dhe probleme me shikimin (turbullim, dyfishim, ndjeshmëri ndaj dritës).Gjithashtu, simptoma si dhimbje kronike, lodhje e vazhdueshme dhe vështirësi me gjumin mund të jenë pjesë e këtij çrregullimi.
Në shumë raste, FND shoqërohet edhe me gjendje të shëndetit mendor si ankth, depresion, çrregullim i stresit post-traumatik (PTSD). Dr. Ahmed thekson se diagnostikimi i FND-së është shpesh i vështirë dhe kërkon kohë, pasi gjendja zakonisht zbulohet duke përjashtuar shkaqe të tjera. Shpesh përfshihen analiza laboratorike dhe ekzaminime me imazheri për të sqaruar dyshimet.
NHS thekson se shkaqet e FND-së ndryshojnë nga personi në person. Prania e një sëmundjeje neurologjike ekzistuese mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të saj. Edhe pse nuk ekziston një kurë përfundimtare, terapitë rehabilituese që synojnë “ritrajnimin e trurit” mund të ndihmojnë në përmirësimin e funksionimit në jetën e përditshme. Gjithashtu, ilaçet mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes, depresionit dhe ankthit. Këshillohet që çdo trajtim me medikamente të bëhet në konsultim me mjekun. /Katror.info
Përgatiti:
