Krijimi i ueb-faqeve pa shkruar kode, përmirësimi i teksteve, strukturimi i një poezie, përpilimi i një eseje… këtyre dhe pa fund komandave tjera u përgjigjet lehtësisht Chatgpt – softueri i krijuar nga kompania amerikane AI, i cili është kthyer ndër sensacionet e fundit në botën e inteligjencës artificiale.
Ai është i trajnuar që të simulojë bashkëbisedimet, t’iu përgjigjet pyetjeve përcjellëse, t’i pranojë gabimet, të sfidojë qëndrimet jokorrekte dhe të refuzojë kërkesat e papërshtatshme.
Kurioziteti për ta përdorur atë është i madh. Vetëm në javën e parë të publikimit – në fund të vitit 2022 – mbi një milion përdorues kanë tentuar që ta testojnë këtë aplikacion, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Por, njerëzit nuk po e testojnë atë vetëm për të shuar kureshtjen.
Së fundi, një gjyqtar në Kolumbia, e ka kërkuar mendimin e këtij aplikacioni për të vendosur nëse një kompani sigurimi duhet t’ia mbulojë një fëmije me autizëm të gjitha shpenzimet mjekësore dhe ato të transportit, meqë prindërit nuk kanë mundësi financiare.
Përgjigja e Chagpt ka qenë në përputhje me atë të gjyqtarit.
Në përgjigje është thënë se rregulloret e Kolumbisë parashohin që fëmijët me autizëm nuk kanë nevojë që të paguajë për terapitë e tyre.
REL në edicionin e 5 shkurtit të podkastit ka diskutuar me Darsej Rizajn nëse të mirat i tejkalojnë rreziqet që bart me vete ky aplikacion.
Darsej është bashkëpronar i StarLabs, kompani e teknologjisë së informacionit në Prishtinë, si dhe i Shkollës Digjitale, e specializuar për trajnime kompjuterike.
I pyetur nëse Chatgpt e ka ndryshuar mënyrën si e konceptojmë inteligjencën artificiale, Rizaj thotë se prej pikëpamjes shkencore nuk ka ndryshuar asgjë, sepse inteligjenca artificiale nuk është që është zbuluar sivjet apo vitin e kaluar.
“Mendoj se inteligjenca artificiale sapo ka filluar. Është sikurse me internetin në fillim, kemi pasur pak njohuri për të, kemi realizuar operacione të thjeshta, por realisht frytet kryesore i kemi parë në 15 vjetët e fundit. Nëse ai ka qenë ndryshim radikal, unë pres që ndryshimi ka me qenë dukshëm më radikal i mënyrës qysh jetojmë ne, e deri te mënyra qysh edukohemi ne. Sidomos sektori i edukimit ka me qenë një prej sektorëve më të sulmuar prej kësaj teknologjie,” tha ndër të tjera ai./Katror.info