I njohur edhe si Chaouen apo Perla Blu e Marokut, Chefchaouen është një nga qytetet më fotogjenike dhe më të veçanta në botë. I gjithë qyteti është i lyer në nuanca të ndryshme blu.
Chefchaouen nuk është një destinacion i zakonshëm turistik. Nuk ka muze madhështorë apo monumente të famshme për t’u vizituar.  Në çdo qoshe, dritare, apo derë, gjendet një detaj i vogël që të fton ta fotografosh. Jo më kot, qyteti është bërë një nga më të publikuarit në rrjetet sociale, duke fituar pseudonimin “Parajsa e Fotografëve”.

Pse është i lyer në blu?
Arsyeja e vërtetë mbetet një mister, por ekzistojnë disa teori. Një prej tyre thotë se në shekullin XV, refugjatët hebrenj e lyen qytetin me ngjyrë blu për të simbolizuar qiellin dhe parajsën – një mënyrë për t’u ndier më afër Zotit.
Një tjetër teori thotë se ngjyra e blusë mban larg mushkonjat, të cilat shmangin sipërfaqet që ngjajnë me ujë. Disa besojnë se bluja ndihmon edhe për të mbajtur freski gjatë verës së nxehtë marokene.
Pavarësisht nga arsyeja, ky qytet është shndërruar në një ikonë të vërtetë të Marokut.
Edhe pse është një destinacion shumë i njohur, Chefchaouen mbetet disi i izoluar në malet Rif.
Nga qytetet kryesore si Tangier, Fez apo Casablanca, udhëtimi kërkon pak durim. Mënyra më e lehtë është të merrni një autobus direkt nga Tangier (rreth 2 orë e gjysmë udhëtim).
Pikat më të bukura për t’u vizituar
Kasbah – Në qendër të medinës ndodhet një fortesë e lashtë me mure argjilore dhe kopshte të gjelbra. Nga kulla e saj mund të shijoni një pamje panoramike të qytetit blu dhe maleve Rif.
Xhamia Spanjolle – E ndërtuar në vitet 1920, kjo ndërtesë në majë të kodrës është vendi më i mirë për të parë perëndimin e diellit.
Derb El Assri – Rrugica më e famshme e qytetit, me shkallë blu, vazo shumëngjyrëshe dhe mure të dekoruara me motive tradicionale. Gjatë ditës është plot me vizitorë e fotografë që kërkojnë këndin perfekt për një foto.

Sidi Bouchouka – Një tjetër rrugë ikonike me shkallë të gjera blu, të zbukuruara me pllaka mozaiku dhe bimë varëse. Në mëngjes, drita e butë e diellit krijon kontrastin ideal për fotografi.
Blue Street – Një rrugicë e fshehur, por ndoshta më e bukura nga të gjitha. E mbuluar plotësisht me blu të thellë, ajo duket sikur del nga një ëndërr.
Place El Haouta – Një shesh i vogël dhe i qetë në zemër të medinës, me një burim me ngjyra blu, të bardha dhe të kuqe – perfekt për një pushim të shkurtër ose një foto pa turma.
Nëse doni të provoni diçka autentike, vizitoni Cafe Clock, një riad tradicional i kthyer në restorant me disa kate dhe një tarracë që ofron pamje të mrekullueshme të qytetit. Aty mund të shijoni specialitete lokale si hamburgerin me mish deveje ose falafelin e freskët, shoqëruar me një milkshake bajamesh që është bërë i famshëm mes turistëve. /AP/Katror.info



 
			







 
                                
                             

