Kombëtarja e Shqipërisë në futboll është nderuar me çmimin “Nderi i Kombit në Futboll” në ceremoninë “Më të mirët 2023” të organizuar të hënën mbrëma nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Është ky çmimi më i lartë që e ndan Asambleja e FSHF-së.
Shqipëria u kualifikua në “Euro 2024” dhe për këtë iu nda çmimi i madh. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka ndarë çmimin për të gjithë lojtarët e trajnerët e Shqipërisë që ishin në ceremoni.
Futbollisti më i mirë në Shqipëri për vitin 2023 u shpall Arinaldo Rrapaj i Partizanit. Atij i takoi “Topi i Artë” për vitin 2023. Florent Hasani e Bekim Balaj ishin kandidatë për më të mirin e vitit.
Futbollistja më e mirë e vitit 2023 u shpall Megi Doçi e Vllaznisë së Shkodrës. Ajo fitoi në konkurrencë me Valentina Troka dhe Ezmiralda Franja.
Në ceremoninë madhështore të mbajtur në Tiranë u shpall edhe njëmbëdhjetëshja më e mirë e Superligës së Shqipërisë: Alen Sherri (portier), Andi Hadroj (mbrojtës), Renato Malota (mbrojtës), Filip Najdovski (mbrojtës), Florjan Përgjoni (mbrojtës), Arinaldo Rrapaj (mesfushor), Albano Aleksi (mesfushor), Fernando Medeiros (mesfushor), Tedi Cara (sulmues), Raphael Dwamena (sulmues), Florent Hasani (sulmues)./Katror.info