Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësim për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, Irfan Lipovica, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësise dhe Tregtisë (MINT), duke e cilësuar procesin si të parregullt dhe të kundërligjshëm. Organizata ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të këtij emërimi, shkruan Katror.info.
Sipas CorrWatch, MINT ka shkelur Ligjin për Zyrtarët Publikë, pasi ka përshirë në listën e ngushtë kandidatë që nuk i kanë plotësuar kriteret e konkursit, veçanërisht ato të përvojës së punës në pozita drejtuese. Organizata thekson se nga dy kandidatët e verifikuar paraprakisht, vetëm njëri kishte plotësuar kushtet ligjore. Megjithatë, procesi nuk u anulua dhe të dy kandidatët u shpallën fitues për të kaluar në fazën finale të emërimit.
CorrWatch kishte reaguar publikisht edhe më 26 nëntor 2024, duke kërkuar rishqyrtimin e procesit. Pavarësisht shqetësimeve të ngritura dhe shkeljeve të evidentuara, Qeveria sot ka emërur njërin nga kandidatët, duke legjitimuar një proces të parregullt dhe të paligjshëm.
Organizata thekson se ky emërim shkel parimet e integritetit dhe meritokracisë në administratën publike dhe bën thirrje për reflektim dhe marrje përgjegjësie institucionale. CorrWatch kërkon anulimin e menjëhershëm të emërimit dhe respektimin e procedurave ligjore për garantimin e një procesi transparent dhe të drejtë./Katror.info