Bashkëthemeluesi i platformës globale Arduino, David Cuartielles, vjen në Prishtinë si folësi kryesor i konferencës Software Freedom Kosova (SFK) 2025, që do të mbahet nga 24 deri më 26 tetor.
Emri i njohur ndërkombëtarisht për inovacionin në teknologjitë open-source do të ndajë përvojën e tij shumëvjeçare në arsim dhe dizajn interaktiv me komunitetin lokal të teknologjisë dhe studentët kosovarë.
Më 25 tetor, në orën 10:30 në FIEK Prishtinë, Cuartielles do të prezantojë për herë të parë globalisht paisjen Arduino Uno Q – pajisjen më të re high-tech që e demokratizon qasjen në AI modele, duke ia mundësu të gjithëve të eksperimentojnë dhe të mësojnë në lidhje me AI modele me kosto shumë të ulët: rreth 40 euro paisje.
Sot, komuniteti global i Arduino-s numëron mbi 30 milion përdorues aktiv, nga studentë e deri te zhvillues e edukatorë që ndajnë të njëjtën filozofi: teknologjia duhet të jetë e hapur, e përballueshme dhe në shërbim të krijimtarisë.

Këtë vit, SFK organizon edicionin e 10të të saj, dhe vjen me temën “Do Androids Dream?”, që trajton temat shumë interesante të open-source AI dhe hardware. Organizuar nga FLOSSK (Free Libre Open Source Software Kosova), SFK mbetet konferenca më e rëndësishme rajonale për open-source.
Pjesëmarrja e David Cuartielles pritet të jetë një nga kulmet e këtij edicioni, duke e vendosur Prishtinën në qendër të zhvillimeve teknologjike globale.
Gjatë konferencës do të ketë folës nga e gjithë bota dhe vendi, si dhe kompani të njohura ndërkombëtare si TomTom dhe openSuse, ku do të jenë prezent me shtandet e tyre.
Për agjendën e detajuar, folësit si dhe për t’u regjistruar për pjesëmarrje në konferencë, vizitoni https://sfk.flossk.org/ .
/Katror.info