Një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i udhëhequr nga drejtori i Departamentit për Politika dhe Strategji, Azem Smajli, mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë DSEI UK 2025, i zhvilluar në Londër nga 8 deri më 13 shtator, me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Në shoqërim të delegacionit ishin këshilltari bilateral britanik në Ministrinë e Mbrojtjes, nënkolonel Mike Butler, si dhe Atasheu i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, kolonel Agron Bajrami.
Panairi DSEI konsiderohet një ndër ngjarjet më të rëndësishme në industrinë globale të mbrojtjes, duke mbledhur mbi 1,600 kompani nga rreth 70 vende. Në të prezantohen teknologjitë më të avancuara në fushën e mbrojtjes kibernetike, transportit ushtarak, sistemeve ajrore e detare, si dhe pajisjeve moderne ushtarake.
Gjatë qëndrimit në Londër, delegacioni kosovar zhvilloi takime bilaterale me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, si dhe me kompani prestigjioze britanike dhe ndërkombëtare, ku u diskutua për projektet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, mundësitë për bashkëpunim dhe për mbështetjen profesionale në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Delegacioni vizitoi gjithashtu Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër, ku u prit nga ambasadori Ilir Kapiti.
Ky angazhim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e bashkëpunimit Kosovë–Mbretëri e Bashkuar dhe në hapjen e perspektivave të reja për modernizimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit./Katror.info