Pingpongu kosovar vazhdon të korrë suksese ndërkombëtare. Kësaj here, ylli i ri në ngjitje, Denat Makolli, është shpallur kampion në kategorinë U11 në turneun prestigjioz “Herceg Novi Open” të mbajtur në Igalo, shkruan Katror.info.
Makolli dha paraqitje të shkëlqyer gjatë gjithë turneut, duke dominuar kundërshtarët me lojë të vendosur dhe teknikë të rafinuar. Në finalen e madhe, ai u përball me pingpongistin malazez Urosh, të cilin e mposhti bindshëm, duke siguruar trofeun dhe vëmendjen e të gjithëve si një talent premtues për të ardhmen.
Ky sukses është një tjetër dëshmi e punës së palodhshme që Denati dhe trajnerët e tij kanë bërë në vazhdimësi. Ai po dëshmon se me përkushtim dhe disiplinë, edhe sportistët e rinj nga Kosova mund të konkurrojnë denjësisht në skenën ndërkombëtare./Katror.info