Doktor Shpëtim Baçi është kirurg dhe shef pavioni në spitalin e Parmës në Itali. Ai është shumë i njohur nga pacientët italianë, pasi i ka ndihmuar ata në shumë raste, sidomos gjatë periudhës së pandemisë shpëtoi shumë jetë.
Mirëpo, Baçi ka pasur një histori jete të vështirë, të cilën e ka ndarë me të gjithë në një intervistë me ABC News. Ai është ndalur veçanërisht te vështirësitë e fillimit, ku i është dashur të nisi gjithçka nga e para, nga mësimi i gjuhës, studimet dhe deri tem puna si sanitar.
“Si shume shqiptarë me vështirësi kemi ecur përpara, për të mbajtur familjen për të studiuar vendosa të bëj çfarëdo punë, mjafton që të paguhesha dhe të vazhdoja studimet. Për dy vjet rresht kam fjetur vetëm 4 orë natën. Nga ora 8-13 isha në fakultet. Nga ora 2 deri në 10 të natës punoja si sanitar në sallë të operacionit. Pastaj do të vija të studioja për ditën e nesërme për të vajtur në universitet. Kështu që për dy vjet rresht puna me ishte studime dhe punë. Edhe si sanitar isha i kënaqur se në fund të fundit do i mbaroja studimet. Me studimet që kisha në Shqipëri nuk e pata vështirë, por ishte gjuha për të shprehur,” shprehet ai.
Mjeku nga Erseka kishte mbaruar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe madje kishte punuar si mjek ushtarak në marinën e Vlorës.
“Unë punova 7 vjet, dy vjet në Pasha Liman dhe më pas 5 vjet si shef shëndetësie në distriktin detar të Vlorës. Në 2000 u nisa në Itali sepse nusja filloi të studionte këtu si mami-infermiere. Ne ishim të martuar, kishim dhe një djalë, por për t’u bashkuar me familjen, lashë punën në Shqipëri dhe fillova në Itali,” shprehet Baçi duke shtuar se studimet e Tiranës nuk njiheshin në Itali andaj edhe duhej që të kryente studime shtesë. Për të mbajtur familje u detyruar të punojë si patrues.
“Dua ta falenderoj drejtorin e spitalit ku punoj. Ditën e parë që u takova me të i thashë unë punoj si pastrues në palestër, jam mjek, por dua të paktën të punoj në spital si pastrues. Ai duke më buzëqeshur më tha nesër fillo punë. Kështu filloi puna ime si pastrues, sanitar, por pastaj do të filloja punë si mjek në spitali. Jam qe 21 vjet mjek në këtë spital ku punoj sot,” shprehet ai.
Sot, është ndër mjekët më të njohur në Parma dhe adresë e sigurt për të gjithë shqiptarët që jetojnë në këtë qytet italian. /Katror.info