Distria Krasniqi ka medalje të artë olimpike nga Tokio 2020 dhe medalje të argjendtë olimpike nga Parisi 2024. Ka tre tituj të Evropës, dy medalje të argjendta evropiane e dy të bronzta. Ka, po ashtu, dy medalje të bronzta botërore, shkruan KOHA.
Por, xhudistja kosovare nuk ka ende medalje të artë botërore. Dhe medaljen që i mungon në koleksionin shumë të pasur, 29-vjeçarja e kërkon të shtunën në Budapest të Hungarisë.
Kampionati Botëror i xhudos, që është ngjarja kryesore e vitit në këtë sport, nisi të premten. U zhvillua gara në kategorinë deri në 48 kilogramë te xhudistet dhe kategorinë deri në 60 kilogramë te xhudistët.
Të shtunën është dita e dytë, ndërsa garojnë xhudistet e kategorisë deri në 52 kilogramë dhe xhudistët e kategorisë deri në 66 kilogramë. Distria është bartësja e dytë në kategori. Bartëse e parë është francezja Amandine Buchard. E treta është gjermanja Mascha Ballhaus, ndërsa e katërta, italiania me përvojë, Odette Giuffrdia.
Të gjitha këto vlerësohen me potencial për ta fituar titullin e kampionit të botës. Por, në xhudo asnjëherë nuk bën të përjashtohen japonezet. Sidomos, nëse në konkurrencë është njëra prej më të mirave në histori, Uta Abe. Ajo është vetëm bartësja e 15-të, por sipas shumë njohësve të xhudos, xhudistja, ndoshta, me gjasat më të mëdha. Bartëse e shtatë është një tjetër japoneze, Kisumi Omori.
Legjenda Abe ishte shokuar në Lojërat Olimpike të Parisit, duke u mposhtur në luftën e dytë nga uzbekja Diyora Keldiyorova. Më pas Keldiyorova fitoi të artë, ndërsa në medalje e mposhti Distrinë. Pas Olimpiadës, japonezja 24-vjeçare është kthyer në gara në Grand Slamin në Baku këtë vit. E fitoi të artën.
Distria është në moment të mirë dhe, po ashtu, vlerësohet me gjasa të mëdha për ta fituar të artën botërore. Më 23 prill ajo e fitoi titullin e kampionit të Evropës. Në Podgoricë e mposhti në finale pikërisht italian Giuffrida, kampionen në fuqi të botës. Distria ka fituar edhe të bronztën në Grand Slamin e Parisit dhe të argjendtën në Grand Prix të Austrisë.
Medalja botërore është synimi i madh për këtë vit.
“Distria është në formë të mirë. Por, konkurrenca në Botëror, e sidomos në kategorinë deri 52 kg, është shumë e fortë”, ka thënë para udhëtimit për në Budapest, trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka.
Si bartëse, Distria në xhiron e parë është e lirë. Në të dytën përballet me brazilianen Jessica Pereira.
“Çuditërisht, kampionia olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë dhe nënkampionia olimpike në 52 kilogramë, si dhe tri herë kampionia evropiane, Distria Krasniqi, ende nuk është ngjitur në majë të podiumit në Kampionatin Botëror. Ajo në Hungari kërkon ta kompletojë koleksionin e titujve të mëdhenj. Ishte një fillim i vështirë i vitit për Distrinë, kur ajo u kthye në tatami. Por, reagoi me kohë për ta siguruar titullin e Evropës në Podgoricë, dhe tashmë ndihej shumë më e sigurt. Por, a mund t’ia sigurojë ky besim medaljen e artë botërore? Një gjë që ajo mund ta presë me padurim është përballja me Uta Aben, e cila u kthye në Baku këtë vit, pas eliminimit të papritur në Lojërat Olimpike”, ka shkruar sajti zyrtar i Unionit Evropian të Xhudos, në analizën që ia ka bërë kategorisë deri në 52 kilogramë.
Distria ishte përgatitur që në finale të Parisit të përballej me Aben, e jo me Keldiyerovan. Dhe, kjo mund të ketë ndikuar në rezultatin e luftës finale.
Në kategorinë deri në 52 kilogramë garojnë 35 xhudiste.
Kosovën në Botëror e përfaqësojnë edhe Laura Fazliu e Akil Gjakova. Akili garon të dielën, ndërsa Laura të hënën./KOHA/Katror.info