Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, e vazhdon të enjten garën në Ligën e Konferencës.
Në kuadër të xhiros së tretë të fazës së ligës, Drita luan në Dublin të Irlandës ndaj skuadrës Shelbourne. Ndeshja zhvillohet prej orës 21:00.
Shelbourne nuk luan në stadiumin e tij, pasi ai nuk plotëson kriteret e UEFA-s. Ndeshja me skuadrën gjilanase zhvillohet në “Tallaght Stadium”.
Te Drita shpresojnë që të vazhdojnë ecurinë pozitive në Ligën e Konferencës. Kjo skuadër është ende e pamposhtur në fazën e ligës, ku paraqitet për herë të parë.
Fillimisht luajti 1:1 me KuPS-in në Finlandë, ndërsa me rezultat të njëjtë përfundoi edhe ndeshja me Omonian e Qipros në Prishtinë.
Drita aktualisht është në pozitën e 23-të me dy pikë. Kjo pozitë pas gjashtë xhirosh dërgon në fazën nokaut të Ligës së Konferencës. Kualifikimi në fazën nokaut do të ishte sukses shumë i madh për skuadrën kosovare.
Të enjten prej orës 21:00 luan edhe Shkëndija e Tetovës. Në Shkup e pret skuadrën polake, Jagiellonia Bialystok. Tifozët e kësaj skuadre kanë qëndrime anti-shqiptare, ndërsa kanë paralajmëruar udhëtimin për në Shkup, shkruan Koha.net.
Shkëndija në xhiron e parë pësoi 2:0 nga Rayo Vallecano e më pas fitoi 1:0 pikërisht ndaj Shelbournet./Katror.info
















