Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, dhe aktori britanik, Callum Turner, ishin në qendër të vëmendjes gjatë ngjarjes ekskluzive të lansimit të koleksionit më të ri të stolive nga “Tiffany and Co”.
Eventi, i mbajtur në një ambient luksoz, mblodhi emra të njohur të modës dhe artit, duke shënuar prezantimin e linjës më të fundit të bizhuterive nga brendi i njohur.
Çifti ka marrë pjesë në lansimin e koleksionit “Tiffany Titan” të dizajnuar nga artisti Pharrell Williams, ku dukeshin të përqendruar vetëm te njëri-tjetri.
Nga kjo ceremoni, ylli i muzikës, Dua Lipa, dhe aktori britanik Callum Turner janë fotografuar së bashku, duke shkëmbyer buzëqeshje dhe shikime plot dashuri.
Lipa dhe Turner, të cilët janë lidhur që nga janari i vitit të kaluar, ishin veshur me të zeza dhe po pozonin për fotografi së bashku gjatë ngjarjes.
Pjesëmarrësit e tjerë në ceremoni ishin po ashtu të famshëm, por ishte lidhja mes Lipas e Turnerit ajo që mori më shumë vëmendje.
“Ata janë duke kaluar një periudhë të shkëlqyer së bashku, dhe duket se janë gjithmonë të përqendruar te njëri-tjetri”, ka thënë një burim për media, ka raportuar revista People, përcjell KOHA.
Ndërkohë, edhe pse në fokusin e ceremonisë ishte koleksioni i ri, lidhja e dy yjeve vazhdoi të jetë ajo që tërhoqi vëmendjen e mediave. Pavarësisht se janë të dy figura publike, ata duket se po gjejnë kohë për të shijuar momentet së bashku.
Lipa ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve gjatë kësaj jave në kryeqytetin francez, pasi u shfaq edhe në ceremoninë e madhe të shpalosjes së koleksionit të ri të modës nga marka “Chanel”.
Në këtë ngjarje përveç Lipas, ishin të pranishëm edhe yje të njohur të showbizit. Por e gjithë vëmendja ishte tek ylli me prejardhje shqiptare, pasi veshjen klasike të “Chanelit” e kishte stiluar me një fjongo të madhe në flokë.
Përveç fjongos, edhe një stoli tjetër që mbajti këngëtarja ka tërhequr vëmendjen e adhuruesve e medias, pasi ylli ishte parë me një unazë të re me diamant në gishtin e dorës së majtë.
Disa javë më parë, fansat kanë filluar të spekulojnë për fejesën mes Lipas me Turnerin, pas një postimi që kishte bërë këngëtarja në Instagram ku kishte ndarë disa fotografi nga festimi i Krishtlindjeve.
Në këto fotografi, Lipa shihej duke mbajtur unazë në gishtin e dorës së majtë dhe pas këtij postimi një burim i afërt ka thënë për The Sun se Turner i kishte propozuar dhe se ata do të festonin fejesën me miqtë e tyre gjatë festës së Vitit të Ri.
“Ata janë të fejuar dhe nuk mund të jenë më të lumtur. Dua ka pasur një vit fantastik në karrierën e saj dhe kjo është qershia mbi tortë”, pati thënë burimi./Katror.info