Dy filma të rinj e nisin rrugëtimin e tyre në një prej festivaleve kryesore. “Krahët e punëtorëve” i Ilir Hasanajt dhe “Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës do të jepen premiera në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam. Pos kësaj, filmat e shkurtër dokumentarë garojnë në kategorinë “Tiger Short Competition” të Festivalit.
Historitë e Kosovës shpesh e kanë destinacion skenën ndërkombëtare nëpërmjet kinematografisë. Filmat vendorë me tematikat e tyre autentike jo rrallë kanë triumfuar në çdo cep të botës e në konkurrencë me filma që vijnë nga vende të fuqishme për nga ana kinematografike, shkruan Koha.net.
Punëtorët e lënduar
Atje do të dërgohet tregimi i punëtorëve që janë viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës nëpërmjet filmit “Krahët e punëtorëve”. Regjisori Hasanaj u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të tre protagonistëve në dokumentar, Milazimi, Fatmiri dhe Liridoni. Në 19 minuta filmi i shkurtër dokumentar ndërtohet si homazh poetik e eksperimental.
Duke e punuar njërin prej filmave të tij, “Me dasht’ me dasht’ me dasht’” në vitin 2016, regjisori Hasanaj kishte qenë dëshmitar i një ngjarjeje që ndërlidhet me tematikën e filmit “Krahët e punëtorëve”.
“Kam qenë në ‘Aktash’ dhe kam parë një punëtor më në moshë që është rrëzuar prej një lartësie. E kishte lënduar rëndë kokën dhe nuk mund të bënim asgjë. Trafiku ishte i bllokuar. Në fillim mendova se është problem tek punëtorët, se nuk kujdesen mjaftueshëm, nuk i kanë mjetet e duhura, por pas një kohe të gjatë i jam kthyer në 2021-n këtij filmi dhe kam dashur ta bëj në një tjetër formë, me një kamerë analoge me shirit, e vitit 1972 ashtu diçka. I kemi përdorur 20 rollne për film. Qasja ka qenë që të ndahet pak vizualja me zërin”, ka treguar regjisori Ilir Hasanaj, duke treguar se produkti final ka dalë tamam siç e kishte menduar.
“Kemi qenë të kënaqur se si ka dalë filmi. E kemi ditur që ka ditur se ka diçka që është e jashtëzakonshme për mënyrën se si e kemi bërë dhe mënyrën se si i jemi qasur. Kur ka ardhur një mesazh i vogël nga Festivali m’ u duk që ia ka vlejtur gjithë ai mund”, është shprehur Hasanaj.
Sipas tij, në media përcillet veç një pjesë e informacionit të vdekjeve të punëtorëve në vendin e tyre të punës. Sipas tij, shpesh këto raste deklarohen si vdekje në rrethana të tjera.
Pjesa hulumtuese sipas regjisorit Hasanaj, ka qenë shumë e vështirë duke marrë parasysh pozitën e pafavorshme për të ndarë rrëfimin e tyre me publikun. Veç kjo pjesë sipas tij, ka zgjatur një vit e gjysmë.
Rrëfimet prekëse
“Ka qenë hulumtimi më i vështirë, pasi punëtorët janë në gjendje jo të favorshme, po flasim për një shtresë që jeton ditë për ditë dhe një aksident i bie që ajo familje nuk mund ta mbajë veten. Ata janë prej fillimit në gjendje shumë të keqe. Është dashur të takojmë shumë punëtorë derisa kemi mbërritur t’i mbledhim. Një qasje tjetër ka qenë interneti, sepse emrat që deshifrohen në internet, janë ata që kanë vdekur”, ka deklaruar Hasanaj në emisionin “Nëpër film”, duke thënë se filmi ka më shumë ndikim në rast se për personazhe merren ata që për një fije i kanë ikur vdekjes.
“Vizualisht është shumë vështirë të bëhet një tregim për një person që nuk është më, është shumë tragjike. Ne donim të japim forcë dhe t’i mbështesim ata persona që kanë shpëtuar”, është shprehur regjisori i filmit “Krahët e punëtorëve”.
Ai është shprehur i lumtur se sivjet në një prej festivaleve të mëdha ndërkombëtare janë dy filma pjesëmarrës nga Kosova.
“Është një lajm tjetër i mirë pasi të përzgjedhësh në një festival je drejtpërdrejt në garë. Normalisht në Roterdam i përzgjedhin zakonisht rreth 16 filma, sivjet i kanë përzgjedhur 21 filma. Gëzim i madh ka qenë edhe fakti se janë dy filma nga Kosova. Tjetri është film i shkurtër nga Norika Sefa. Kjo na gëzon edhe më shumë, pasi do të thotë se Kosova ka filma të mirë dhe që po vlerësohet ndërkombëtarisht”, ka thënë Hasanaj.
Regjisorja Sefa me “Si e verdhë e sëmurë” rikthehet pas dy vjetëve në këtë konkurrencën e Festivalit.. Gjatë vitit 2021, filmi bëri histori duke u bërë projekti i parë nga Kosova që u përfshi në garën zyrtare të Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës. Suksesin e vulosi duke u bërë po ashtu filmi i parë kosovar i shpërblyer në këtë ngjarje, me çmimin special të jurisë në kategorinë “Tiger Competition”.
Në edicionin e 53-të të festivalit në qytetin holandez, Norika Sefa, shpalos historitë magjepsëse nga video-kasetat e vjetra të tregimeve të familjeve që nuk janë më. Aty e bukura dhe e keqja ndërthuren, duke ndërtuar rrëfime unike.
“Ne vëzhgojmë ritualet e familjeve në VHS të degraduar. Një zë gruaje përsërit: ‘Ajo ishte aq e lumtur sa ata u martuan me të këtu, në këtë shtëpi’. Një re e rëndë lufte shfaqet në distancë të afërt. Norika Sefa, fituesja e Çmimit Special të Jurisë për Kërkimin e Venerës (IFFR 2021), rikthehet në festival me këtë përrallë misterioze dhe magjepsëse për jetët që nuk janë më aty”, shkruhet për filmin 23-minutësh të regjisores Sefa.
Filmat janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Drejtoresha e këtij institucioni, regjisorja Blerta Zeqiri, ka thënë se “pjesëmarrja e këtyre filmave në festivalet e kategorisë A është dëshmi se Qendra është në rrugën e duhur me filmat që përzgjedh të mbështes”.
Filmi “Si e verdhë e sëmurë” do të shfaqet më 28 dhe 29 janar ku regjisorja do të jetë e pranishme, ndërsa shfaqjen tjetër do ta ketë më 1 shkurt. Ndërkohë filmi “Krahët e punëtorëve” më 26 janar dhe premierën do ta pasojë një bashkëbisedë ku regjisori Hasanaj, sikurse edhe Norika Sefa në premierën e filmit të saj, do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me publikun. Njëjtë do të ngjajë edhe në shfaqjen e filmit “Krahët…” një ditë pas, më datë 27, ndërsa filmi do të ketë një tjetër shfaqje më 2 shkurt.
Sipas regjisorit Hasanaj, është temë me rëndësi ajo në filmin që garon në “Tiger Short Competition”. Ai ka thënë se aty bëhet fjalë edhe për faktorë të tjerë, siç janë kushtet e punës.
“Besoj se filmi ‘Krahët e punëtorëve’ do të ketë impakt jo vetëm ndërkombëtar, por sidomos në Kosovë të mund ta adresojmë punën e punëtorëve. Po shpresoj se është diçka që mund ta bëjmë bashkërisht. Tash që janë hequr vizat, kjo do të ndikojë edhe më shumë që të flitet për këtë temë”, ka thënë ai derisa ka treguar se e ka gjetur veten në filmat dokumentarë.
Derisa ka folur në përgjithësi për skenën kinematografike në vend, ka thënë se filmi kosovar tashmë ka depërtuar jashtë vendit dhe se ka shumë tregime që ia vlen të trajtohen.
“Jam shumë i lumtur që e ka këtë energji që po depërton filmi kosovar jashtë vendit. Po më duket se e ka përjetuar njëfarë shtypje, si diçka që ka nevojë të shpërthejë. Ka aq shumë tregime dhe storie që besoj ia vlen të trajtohen. Gëzohem të jem në atë pikë mes tregimeve dhe mundësive që mund të krijohen dhe perceptimin ndërkombëtar. Për çdo vit po shohim regjisorë/e që e kuptojnë misionin dhe rëndësinë e tyre dhe e bëjnë punën me kualitet”, ka vlerësuar regjisori Ilir Hasanaj.
Politika kapitaliste
Në përmbledhjen e shkurtër të filmit në adresën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam, vlerësohet se protagonistët në dokumentar “ranë pre e makinerive dhe politikës kapitaliste të ashpër dhe primitive në Ballkan”.
“Milazimi, Fatmiri dhe Liridoni janë punëtorë veteranë manualë që përjetuan aksidente në vendet e tyre të punës në Kosovë, vendi më i ri i Evropës. Në këtë homazh dokumentar eksperimental poetik për një klasë njerëzish tashmë pothuajse të zhdukur, Ilir Hasanaj u jep zë individëve të butë, të sinqertë dhe dinjitoz, por pothuajse të padukshëm”, shkruhet për filmin “Krahët e punëtorëve”.
Në kategorinë “Tiger Short Competition” bashkë me dy filmat e shkurtër kosovarë garojnë edhe filmat “3 MWh” i çekes Marie-Magdalena Kuchova, “6000 mensonges” i francezit Simon Reith, “Break no.1 & Break no.2” i kinezes Lei lei, “Crazy Lotus” i tajlandezes Naween Noppakun e “Daphne was a torso ending in leaves” i italianes Catriona Gallagher”.
Në listën me gjithsej 21 filma të shkurtër dokumentarë janë edhe “Digital Devil Saga” i amerikanit Cameron Worden, “Los dos lados de la tortuga” i ekuadorianit Oscar Illingëorth, “Few Gan See” i irlandezit Frank Sweeney, “Flatastic” i francezes Alice Saey, “Flower Show” i finlandezit Elli Vuorinen, “History is Written at Night” i kubanit Alejandro Alonso Estrella.
Për një prej çmimeve kryesore të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam garojnë edhe “I Would Rather Be a Stone” i kroates Ana Husman, “Petticoat Fire” i finlandezit Mox Makela, “Potenciais a deriva” i brazilianit Leonardo Pirondi, “Teen Girl Fantasy” i kanadezes Marisa Hoicka, “Terminal Island” i amerikanit Sam Drake, “To Exist Under Permanent Suspicion” i francezit Valentin Noujaim, “Void” i japonezit Iasaki Yusuke dhe “The Watchman” i italian Ali Cherri.
Juria në këtë kategori është e përbërë nga filmbërës ndërkombëtarë si portugezja Monica Lima, kanadezja Jade Wiseman dhe amerikania Yasmina Price.
Portugezja është edhe një prej tre fituesve të këtij çmimi në edicionin e kaluar. Ajo kishte fituar me filmin “Natureza Humana”, bashkë me filmin “Tito” nga Kervens Jimenez e Taylor McIntosh nga Haiti si dhe filmi “What the Siol Remembers” të regjisorit afrikano-ekuadorian, Jose Cardoso. Si çdo vit, edhe kësaj here do të nxirren tre fitues të kësaj kategorie, një e çmimit kryesor dhe dy çmime speciale.
Edicioni i 53-të i International Film Festival Rotterdam zhvillohet nga 25 janari deri më 4 shkurt 2024. Përveç shfaqjeve të filmave, paralelisht zhvillohen edhe shumë ngjarje të tjera në kuadër të festivalit si panele diskutimi, program edukativ dhe jo vetëm.
“Tiger Competiton” është gara kryesore e Festivalit. Krahas “Tiger Short Competition”, festivali me nam ndan edhe çmimet në kategoritë “VPRO Big Screen Competition”, “Robby Müller Award”, “IFFR Youth Jury Award”, “NETPAC Award”, “Audience Award”, dy çmime ndahen në kuadër të “Critics Awards” dhe çmime të tjera për krijues në kuadër të programeve edukative. /Koha.net/Katror.info
Përgatiti:
