Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e rregullt të pullave postare të titulluar “Dyert e Prizrenit”.
Sipas një njoftimi lëshuar nga PTK, thuhet se qyteti i Prizrenit është i njohur që nga antikiteti si një vend unik në Ballkan për vlerat e trashëgimisë kulturore të civilizimeve dhe që mbanë epitetin e ‘’Qytetit muze’’ të Kosovës.
E në këtë sfond, sipas njoftimit të Postës së Kosovës, çdo cep i qytetit përmban një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë dhe e bën këtë qytet me vlerë të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike.
“Kësaj radhe, Filatelia e Postës së Kosovës ju sjell dy pamje të pulla postare, ku prezantohen dyert e Prizrenit me karakteristika shqiptare, bazuar për nga rëndësia e lashtësisë dhe domethënies së tyre, të cilat do të shpalosin në gjithë botën vlerat e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.