E gjithë bota është vënë në kërkim të një prej instrumenteve muzikore më të famshme, bas kitarës origjinale Hofner të Beatles-it të famshëm, Paul McCartney, raportoi BBC.
Lost Bass Project po kërkon nga publiku botëror çdo informacion rreth asaj që pretendon se është “bas kitara më e rëndësishme në histori”. McCartney e bleu instrumentin për 30 £ në qytetin gjerman të Hamburgut në vitin 1961, por tetë vjet më vonë kitara u zhduk. Ajo u përdor në krijimin e muzikës së Beatles në ato vite, duke përfshirë hitet Love Me Do dhe She Loves You, shkruan Katror.info.
Kërkimi filloi pasi McCartney i kërkoi prodhuesit të instrumenteve muzikore Hofner të gjente kitarën e tij të adhuruar. Projekti Lost Bass drejtohet nga Nick Wass, i cili bashkoi forcat me dy gazetarë në një përpjekje për të zgjidhur “misterin më të madh në historinë e rock&roll”.
“Nuk është e qartë se çfarë ndodhi me kitarën, e cila me shumë mundësi u mënjanua nga dikusgh kur Beatles përfunduan regjistrimin e albumit në vitin 1969,” tha Wass. Ai bashkëpunoi gjerësisht me McCartney dhe shkroi një libër për kitarën e humbur Hofner 500/1 Violin Bass.
McCartney ende luan kitarat bas Hofner. Ka gjithnjë e më shumë spekulime se sa do të vlente ajo kitarë në ankand. Kitara e vjedhur e John Lennon, e cila u shfaq gjysmë shekulli më vonë, u shit për 2.4 milionë dollarë dhe kitara akustike e Kurt Cobain, të cilën ai e përdori në performancën ikonë të MTV Unplugged, arriti në 6 milionë dollarë./Katror.info