Unioni Evropian i Xhudos ka vlerësuar në superlativ organizimin dhe xhudon e shfaqur në Kampionatin e Hapur Evropian, të mbajtur të shtunën në Prishtinë. Por EJU-ja ka ndarë edhe shpërblime e mirënjohje tjera, kryesisht për të arriturat e mëhershme.
Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi dhe presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, janë nderuar me çmimin “Më të mirët e më të mirëve”. Sipas njoftimit të EJU-së, ky çmim u është ndarë për “kontributin e jashtëzakonshëm për komunitetin e xhudos”. Majlinda është ish top-xhudiste, që tani punon si trajnere. Në Evropian udhëhoqi Distria Krasniqin dhe Dardan Cenën, që fituan medalje të bronzta.

Ndërkohë Agron Kuka është tashmë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të EJU-së. Në Kosovë drejton federatën që ka tri kampione olimpike. Me plaketa të Tokios, EJU-ja ka nderuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Pas Evropianit është mbajtur një ceremoni ku me mirënjohje janë nderuar kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, si dhe trajneri Driton Kuka. Edhe Krasniqit, Gjakovës e Kukës u janë ndarë plaketa të Tokios, qytet në të cilin fituan dy të artat olimpike në vitin 2021. Trajneri Driton Kuka qëndron prapa gjithë sukseseve të xhudos kosovare.
Me punën e tij në palestër ka bërë të mundur që tani Kosova të organizojë Evropian të xhudos dhe po ashtu që Kosova të vlerësohet prej superfuqive evropiane të sportit të xhudos./Katror.info