Edhe këtë vit, Kosova do të jetë pjesë e garës më të madhe ndërkombëtare të robotikës “FIRST Global Challenge”, që këtë vit do të mbahet në Singapor.
Ekipi nga Kosova i përbërë nga: Leona Hajrizi, Eda Palushi, Muhamed Shala dhe Gjin Gojani, nën udhëheqjen e Elita Hajrizit, kanë nisur përgatitjet për pjesëmarrjen në njërën prej garave më të mëdha ndërkombëtare të robotikës, “FIRST Global Challenge”.
Me rreth 200 ekipe pjesëmarrëse nga e gjithë bota, Kosova këtë vit do të përfaqësohet nga të rinj entuziastë, talentë dhe të frymëzuar për të nderuar dhe ngritur sa më lartë vlerat e popullit tonë në arenën ndërkombëtare.
“Jemi shumë të lumtur dhe njëkohësisht të entuziazmuar për pjesëmarrjen e të rinjve të talentuar nga Kosova në garën ndërkombëtare të robotikës “FIRST Global Challenge”. Besojmë shumë se përveç rezultateve pozitive, ne në Singapor do të prezantojmë edhe kulturën dhe traditat që ka Kosova, njëjtë siç kemi bërë edhe vitet e kaluara”, ka thënë mentorja e ekipit të Kosovës për garën ndërkombëtare të robotikës, Elita Hajrizi.
Qëllimi i kësaj gare është zhvillimi edhe më i madh i të rinjve në fushën e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë)./Katror.info