Një ngjarje e rrallë qiellore është vetëm disa muaj larg. Më 8 prill, pasditja do të shndërrohet në “natë” për rreth katër minuta nga Meksika veriore deri në New England. Kjo gjë do ndodhë për arsye të një eklipsi solar që do të shihet në disa pjesë të Amerikës Veriore.
Por eklipsi total solar i këtij viti është i veçantë sepse një i tillë mund të mos ndodhë në Shtetet e Bashkuara për dy dekada të tjera.
“Ky do të jetë eklipsi më i famshëm në SHBA me 31.5 milionë njerëz në gjendje të dalin jashtë shtëpive të tyre dhe ta përjetojnë këtë ngjarje”, tha Kelly Korreck, menaxhere e programit të NASA-s në një konferencë shtypi nga American Geophysical Union, raporton The Washington Post.
Eklipsin total solar, do të mund ta ndiqni ‘Live’ edhe në YouTube, në kanalin ‘Time and Date’, ku tashmë edhe është paralajmëruar dhe programuar ngjarja.
Cila është rruga e eklipsit të këtij viti?
Ky eklips do të vërehet edhe në Meksikën Veriore përmes Teksasit, New England dhe në Atlantikun e Veriut – duke kaluar nëpër shumë qendra të mëdha të popullsisë. Qytetet në të paktën 12 shtete të SHBA-së do të bien drejtpërdrejt në hijen e hënës.
Çfarë është një eklips diellor total? Si ndryshon nga eklipset e tjera?
Termi “eklips” është një term i përgjithshëm kur çdo objekt planetar, si hëna ose planeti, lëviz nëpër hijen e një trupi tjetër dhe errësohet përkohësisht. Në rastin e një eklipsi diellor, hëna kalon midis diellit dhe Tokës dhe hedh hijen e saj në planetin tonë.
Ka shumë lloje të eklipseve diellore. Një eklips total ndodh kur hëna bllokon plotësisht diskun e diellit. Një eklips i pjesshëm ndodh kur hëna bllokon vetëm një pjesë të diellit. Një eklips unazor ndodh kur hëna kalon para diellit, por nuk e mbulon plotësisht atë nga këndvështrimi i Tokës. Më pas, është eklipsi hibrid edhe më i rrallë, i cili është një kombinim i një eklipsi total dhe unazor./Katror.info