“Më lër brenda, më lër jashtë” – ekspozita që nuk kërkon mëshirë, por fuqizon!
Një ekspozitë ndryshe. Një ekspozitë shpërthyese, emotive dhe që ngre zërin. Ekspozita “Më lër Brenda, me lër jashtë” del nga stereotipi i ekspozitave klasike, duke sjellë përmes gjërave personale të personave me aftësi të kufizuara, zërin e tyre dhe duke iu dhënë fuqi që të shpërfaqen në botë, të insistojnë për vlerat e tyre dhe të kërkojnë ndryshime.
Në vitin e shpallur nga qeveria si “Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara,” Selmani për 16 ditë me radhë mbajti të hapur ekspozitën në Prishtinë, në të cilën shfaqi shkrime, lodra, karroca, e objekte tjera- për dikënd të pavlefshme, por- vetë jeta për një person me aftësi të kufizuara.
“Ata që kanë ardhë dhe m’i kanë shkru e tregu përshtypjet e tyre, kanë anu zakonisht kah aspekti emocional i ekspozitës. Ekspozita nuk kërkon mëshirë, nuk kërkon gjynah, nuk proklamon këso ndjenjash, por është ekspozitë fuqizuese, dhe si e tillë është përbi e pranu edhe prej njerëzve që kanë ardhë në ekspozitë. Ka qenë një rrugëtim i fortë për secilin sepse qysh me pamjen e parë në ekspozitë, shtrati dhe karrocat, ata janë përballë me një realitet të hidhur e që shpesh e anashkalojmë sepse nuk na prekë personalisht neve.”
Arbër Selmani në një intervistë për Katror.info.
Fotot nga Ekspozita ‘Më lër brenda, më lër jashtë’ : Nok Selmani
Poeti dhe gazetari nga Prishtina, Arbër Selmani, që e sfidoi veten edhe si kurator, konsideron se personat me aftësi të kufizuara, pjesë e ekpsozitës i ndihmuan artistit më shumë sesa ky atyre.
“Ata kanë pasë nevojë dhe kanë nevojë të dalin në pah dhe të ndihen që po shihen, po ekspozohen, po dokumentohen, po jetojnë mes neve. Unë kam hulumtu disa muaj, ka qenë rrugëtim jo i lehtë, dhe këta artistë e pjesëmarrës tash në ekspozitë janë vetëm një copëz e vogël e asaj çka do të duhej me u paraqitë në ekspozitë. Në ekspozitë e kemi pasur me rëndësi të paraqiten këto sfida, por sidomos edhe triumfi mbi to, suksesi, talenti.”
Arber Selmani u mishërua me jetën e personave më aftësi të kufizuara, të cilët për fat të keq në shumicën e rasteve vazhdojnë të jenë të izoluar, meqë siç thotë artisti, ende familjet e tyre i mbajnë brenda nëpër shtëpitë e tyre, duke qenë të frikësuar nga shoqëria dhe paragjykimet e gjykimet.
“Njerëzit në karroca nuk kanë as kah të qarkullojnë në këtë qytet të bllokuar, në këtë Kosovë të stagnuar në plot departamente. Këta njerëz nuk punojnë, nuk janë të inkuadruar në jetën kulturore e artistike…. Ekspozita e ka pasë këtë qëllim, të tregojmë se këta njerëz janë këtu, tejkalojnë sfidat, punojnë, duan të jenë pjesë e tregut të punës, duan të bërtasin më shumë sesa që bërtasin tash. Në ekspozitë ka qenë pjesëmarrëse edhe Arbenita Selmani, motra ime, prandaj besoj duhet ta kuptoni që unë mishërohem goxha shumë me personat me aftësi të kufizuar dhe e kam analizu secilin sensitivitet para se të dal me këtë ekspozitë. Unë e njoh deri ne thelb problemin dhe prandaj jam marrë me të. Në ndërgjegjen e secilit e secilës le të mbetet kujdesi ose moskujdesi ndaj këtyre personave, që na mbushin plot jetë e na e bëjnë jetën më shumëngjyrëshe.”
Arbër Selmani e di se jeta e tyre nuk do të përmirësohet përmes një ekpsozite, por ai preferon debatin para heshtjes.
“Unë mendoj që debatet e heshtura janë të rrezikshme, dhe nëse për asgjë, është debatu për këtë ekspozitë dhe për personat me aftësi të kufizuar për pak ditë, çka më bën të lumtur dhe çka e shoh si shkëndijë që gjërat mund të ndryshojnë. Efekti i punës time vërehet ngadalë sepse puna ime është sistematike dhe vazhdon tutje, nuk ndalem zakonisht me pak dhe në këtë shoqëri duhet një radikalizim i burimeve në mënyrë që të arrihet deri te suksesi.”
Bazuar në statistikat dhe vlerësimet e OBSH-së, në Kosovë janë rreth 250 mijë persona me nevoja të veçanta, 20 mijë nga ta fëmijë. Dhe shumë nga ta nuk janë pjesë e diskursit publik, janë të papunë dhe varen në mëshirën dhe mbështetjen e familjeve të tyre, OJQ-ve dhe nismave tjera ndërkombëtare.
Ekspozita ‘Më lër brenda, më lër jashtë’ u hap, me një koncept të qartë e plot revoltë, duke tregu se personat me aftësi të kufizuara meritojnë punë, meritojnë mundësi, meritojnë infrastrukturë, i meritojnë krejt të mirat e kësaj bote. Arbëri premton se kjo nuk do të jetë ekzpozita e fundit. /katror.info