Ka filluar ekzekutimi i pensioneve me rritje për të gjithë pensionmarrësit e kategorive të luftës.
Kështu ka bërë të ditur Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një shkrimi në Facebook, i cili ka shtuar se të gjithë ata që përfitojnë pensione nga skemat e luftës kanë marrë një rritje prej 20% të pensioneve, ndërsa për disa kategori, siç janë familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, si dhe familjet e të vrarëve dhe të zhdukurve civilë, rritja ka qenë edhe më e lartë, përcjell Katror.info.
“Sot është procesuar pagesa e pensioneve që parashihen të paguhen në datën 15 të muajit. E veçanta është se të gjithë pensionmarrësit e skemave të kategorive të luftës, sot e kanë marrë pensionin me rritje prej 20%, e për disa prej kategorive siç janë familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së apo familjet e të vrarëve dhe të zhdukurve civilë rritja është edhe më e lartë”, ka shkruar Murati.
Murati, përmes këtij njoftimi, theksoi se kjo është një masë që tregon angazhimin e Qeverisë për të mbështetur ata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit./Katror.info
Përgatiti:
