Me “Natën e Zjarreve”, sonte përmbyllet manifestimi gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përkujtuar heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shkruan Katror.info.
Në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të rënies heroike të Adem Jasharit dhe familjes së tij, më 5 dhe 6 mars janë mbajtur aktivitete të shumta për të nderuar sakrificën e tyre. Sot, në ditën e tretë të Epopesë, duke filluar nga ora 19:00, do të bëhet ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, simbolikë e vazhdimësisë së përkujtimit të kësaj sakrifice të madhe.
Pas këtij momenti solemn, në ora 19:30, manifestimi do të vazhdojë në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj me programin kulturo-artistik “Nata e Zjarreve”, ku do të paraqiten artistë dhe interpretime që pasqyrojnë heroizmin dhe qëndresën e popullit shqiptar.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bënë homazhe në Prekaz për të nderuar 27-vjetorin e flijimit të familjes Jashari. Ata vlerësuan aktin e tyre si themelin e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Përveç drejtuesve të institucioneve, nderime u bënë edhe nga përfaqësues të qeverisjes lokale, anëtarë të shoqërisë civile dhe qytetarë nga e gjithë Kosova, të cilët u mblodhën për të shprehur respektin e tyre për këtë sakrificë të pavdekshme.
Manifestimi i Epopesë së UÇK-së mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit historik të Kosovës, duke kujtuar betejën heroike të marsit të vitit 1998, që shënoi një kthesë të madhe në rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe pavarësisë./Katror.info