Mbrëmja e së dielës solli një përjetim të rrallë artistik në zemër të Prishtinës, teksa sheshi “Skënderbeu” u mbush me emocione, dritë dhe muzikë për nder të 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Në një atmosferë madhështore, sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho mahniti publikun me zërin e saj të jashtëzakonshëm, duke dhuruar një koncert që do të kujtohet gjatë, shkruan Katror.info.
E shoqëruar nga Opera dhe Filharmonia e Kosovës, nën dirigjimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, Jaho solli një repertor të përzgjedhur që përqafoi ndjenjat e publikut dhe festën kombëtare. Arti, muzika dhe historia u bashkuan në një mbrëmje që tregoi se kultura është një nga shtyllat më të forta të identitetit kosovar.
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme arti në Prishtinë,” tha ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, duke e vlerësuar koncertin si një kulm të jetës kulturore në vend.
Ai shtoi se performanca e mbrëmjes ishte dëshmi e zhvillimit dhe profesionalizmit në rritje të institucioneve kulturore të Kosovës.
“Ky koncert ishte dëshmi e potencialit dhe seriozitetit me të cilin po zhvillohet Opera e Kosovës,” theksoi ministri Çeku./Katror.info