Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) kanë nisur zyrtarisht procesin e hartimit të Planit Strategjik 2026–2030, përmes një punëtorie tre-ditore që po mbahet nga data 30 tetor deri më 1 nëntor 2025, në hotel Four Points by Sheraton në Prishtinë.
Kjo punëtori shënon bashkëpunimin e dytë të FBK-së me FIBA-n në hartimin e një strategjie afatgjatë për zhvillimin e basketbollit në vend. Procesi i parë u zhvillua në vitin 2020, kur u krijua Plani Strategjik 2021–2025, i cili shërbeu si themel për forcimin e strukturave dhe profesionalizimin e basketbollit kosovar.
Në këtë fazë të re, në proces do të përfshihen grupe të ndryshme të interesit – nga përfaqësues të klubeve, trajnerë dhe lojtarë, e deri te partnerë institucionalë dhe donatorë – me synimin për të ndërtuar një strategji gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për pesë vitet e ardhshme.
Në punëtori po marrin pjesë edhe ekspertët e FIBA-s: Nour Amri, Guillermo Calvo, Maeve Buckley, Michal Jezdik, Reïna Kotto-Ekambi dhe Radmila Turner, në kuadër të programit FIBA PLUS, që ka për qëllim të fuqizojë federatat kombëtare dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të basketbollit në mbarë botën.
Ky bashkëpunim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt definimit të vizionit të ri për basketbollin kosovar, duke synuar forcimin e mëtejshëm të rolit të FBK-së si institucion udhëheqës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare./Katror.info









