Nga 20 deri më 22 nëntor 2025, Prishtina do të jetë nikoqire e edicionit të 12-të të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, një ngjarje që prej themelimit të saj ka ndërtuar ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet skenave kulturore të Kosovës dhe Serbisë.
Festivali, që promovon dialogun dhe reflektimin përmes artit, do të mbledh artistë të afirmuar dhe të rinj nga Beogradi dhe Prishtina, duke ofruar një program të pasur me muzikë, debate, ekspozita, performanca teatrore dhe film.
Koordinatorja e festivalit, Tijana Đuknić, thekson rëndësinë e hapësirës që krijon kjo nismë kulturore:
“Pajtimi i vërtetë është i pamundur pa u përballur me të kaluarën dhe pa ndërtuar të ardhmen së bashku. Festivali hap mundësi për dialog dhe sjell përvoja që na kujtojnë gjërat që na lidhin.”
Programi i festivalit përfshin:
20 nëntor, ora 20:00, hapja në Defy Them me performancën e grupit rok “Pliš” nga Beogradi.
21 nëntor, debate, ekspozita dhe shfaqja “Të gjitha Barbi të mira” në Qendrën Barabar, në regji të Đorđe Nešović.
22 nëntor, diskutimi “Nyja e Kosovës në kohën e protestave masive në Serbi”, një mbrëmje poezie me Radmila Petrović dhe projekcionin e filmit “78 Ditë” të regjisores Emilija Gašić në Hotel Grand.
Të gjitha aktivitetet janë falas dhe të hapura për publikun.
Festivali organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e National Endowment for Democracy, Bashkimit Evropian, Rockefeller Brothers Fund, Pro Peace – Kosova dhe Qendrës Barabar.
“Mirëdita, dobar dan!” mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore rajonale që bashkon artistë dhe ide përmes artit, kujtesës dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen./KultPlus/Katror.info
















