Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), me mbështetjen e programit UEFA HatTrick, ka nisur një iniciativë të rëndësishme për të rritur sigurinë në fushat e futbollit. Në kuadër të këtij projekti, të gjitha klubet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë, si dhe klubet e vajzave, janë pajisur me defibrilatorë modernë, të cilët mund të shpëtojnë jetë në rastet e emergjencave shëndetësore.
Në dekadën e fundit, disa raste të rënda shëndetësore gjatë ndeshjeve kanë nxjerrë në pah rëndësinë e këtyre pajisjeve. Përveç shpërndarjes së tyre, FFK ka organizuar edhe trajnime për përdorimin e saktë dhe të shpejtë të defibrilatorëve, ku stafi mjekësor i Kombëtares A të Kosovës ndau eksperiencat e marra nga trajnimet e UEFA-s.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e konsideroi këtë projekt një investim në jetë dhe siguri, duke nënvizuar rëndësinë e kujdesit për mirëqenien fizike dhe psikologjike të sportistëve. “Ky projekt tregon qartë që siguria dhe shëndeti i lojtarëve janë prioritet absolut për Federatën e Futbollit të Kosovës,” tha ai.
Mjeku i Kombëtares A, Amir Vejseli, shtoi se defibrilatori është një pajisje jetike që duhet të jetë e pranishme në çdo ndeshje dhe seancë stërvitore. “Organizimi mjekësor është po aq i rëndësishëm sa ai sportiv,” theksoi ai.
FFK synon që të gjithë akterët e futbollit, nga lojtarët e rinj deri te profesionistët, trajnerët dhe stafi teknik, të luajnë dhe stërviten në një ambient sa më të sigurt. Projekti është gjithashtu një hap drejt profesionalizimit të futbollit kosovar dhe zbatimit të standardeve evropiane të kujdesit shëndetësor në sport./Katror.info