CEO i Fiat, Olivier Francois tha se gjenerata e ardhshme e modelit Panda do të projektohet për të qenë një konkurrent i fortë i prodhuesve kinezë në Evropë.
Francois theksoi se gjenerata e re e këtij modeli do të jetë elektrike dhe do të kushtojë rreth 25 mijë euro. Do të jetë gjenerata e katërt e Fiat Panda dhe krahasuar me modelin aktual që u prezantua në vitin 2011 dhe do të prodhohet deri në vitin 2026, Panda e ardhshme do të jetë elektrike.

Gjithashtu, do të rikthehet në formulën e suksesshme që kishte gjenerata e parë e këtij modeli qyteti. Do të bëhen përpjekje që Panda e re të bëhet sa më e thjeshtë nga ana teknike, për ta bërë atë më të përballueshme në krahasim me konkurrentët, dhe Francois tha se Fiat “mund dhe duhet të zhvillojë një zgjidhje që do t’i vendosë kinezët në një pozicion të vështirë”, shkruan Katror.info.
Sipas informacioneve të deritanishme, Fiat Panda e re do të bazohet në konceptin Centoventi të prezantuar në vitin 2019. Modeli do të jetë teknikisht i ngjashëm me Citroen C3 të ardhshëm elektrik dhe mund të bazohet në platformën eCMP ose arkitekturën e re STLA Small.
Aseti më i fortë, siç thotë kompania, duhet të jetë çmimi i kësaj makine./Katror.info