Traileri për filmin e ardhshëm të animuar Wish të Disney është parë më shumë se 66.5 milionë herë në platforma të ndryshme të internetit, duke thyer rekordin e vendosur nga hiti i Disney-t Frozen 2 në vitin 2019, shkruan The Hollywood Reporter. Traileri për Wish gjithashtu u bë shpejt traileri më i shikuar i Disney në TikTok.
Wish është filmi i 62-të i studios Walt Disney Animation, e cila këtë vit feston 100 vjetorin e saj. Për t’i bërë homazhe klasikëve të vjetër si Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhët, studioja në Wish ka gërshëtuar animacionin tradicional me ngjyra uji me animacionin 3D të gjeneruar nga kompjuteri.
Muzikali i animuar ndjek shtatëmbëdhjetë vjeçaren Asha nga mbretëria imagjinare e Rosas, e vendosur në Gadishullin Iberik. Asha ka një ndjenjë se mbretëria e saj mund të jetë në rrezik, ndaj u kërkon yjeve t’i plotësojnë një dëshirë.
Dëshira e saj ishte aq e fortë sa arriti të tërhiqte vëmendjen e një ylli të quajtur Star, i cili vendosi ta ndihmonte. Së bashku, Asha dhe Star duhet të shpëtojnë mbretërinë e Rosas nga errësira e ardhshme dhe mbreti lakmitar Magnifico.
Yjet kryesorë të filmit janë Arana DeBose që mbulon zërin e Asha-s, Chris Pine që zë zërin e Mbretit Magnifico dhe Alan Tudyk që bën zërin e dhisë së përkëdhelur të Ashës Valentine. Në film luajnë edhe Evan Peters, Harvey Guillén, Ramy Youssef, Niko Vargas, Natasha Rothwell dhe Jennifer Kumiyama.
Muzikali i animuar u drejtua nga Chris Buck, regjisori i Tarzan, Frozen dhe Frozen 2, dhe Fawn Veerasunthorn, i cili punoi në filmat Frozen, Moana dhe Zootopia. Wish është prodhuar nga Peter Del Vecho dhe Juan Pablo Reyes.
Wish do të shfaqet premierë në kinema më 22 nëntor të këtij viti./Katror.info