Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka rikujtuar përfituesit e thirrjes së dytë të programit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit” se afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve për disbursim është 30 prilli 2025, në mesnatë, shkruan Katror.info.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, FKEE thekson se të gjithë ata që kanë përfunduar punimet, por nuk kanë aplikuar ende për disbursim, duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara në platformën disbursimi.fkee-rks.net ose në emailin [email protected].
Për të përfunduar aplikimin, përfituesit duhet të dorëzojnë dëshminë e pagesës për punimet e kryera, faturat për materialet dhe punimet, dëshminë e pagesës për Auditorin e Energjisë, kopjen e Para-Aprovimit me shtojcat përkatëse, raportin e Auditimit të Energjisë, si dhe kopjen e letërnjoftimit dhe konfirmimin bankar me detajet e llogarisë së përfituesit.
FKEE ka theksuar se çdo aplikim pas datës 30 prill 2025 nuk do të shqyrtohet. Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin 0800 222 70./Katror.info