Rreth 350 kilogramë luleshtrydhe, 150 kilogramë sheqer, 415 kilogramë krem pastiçerie dhe plot 4000 vezë u shkrinë në një ëmbëlsirë gjigante që ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness si torta më e madhe në botë Fraisier.
Kjo super-tortë, e cila arriti gjatësinë 121.88 metra, u realizua nga pastiçeria e njohur Maison Heloise në Argenteuil, një periferi veriore e Parisit.
Me këtë arritje, Franca e rimori titullin që më parë i përkiste Italisë, e cila që nga viti 2019 mbante rekordin me një Fraisier 100.48 metra të gjatë.
Krijimi monumental u prezantua mbi një varg të gjatë tavolinash në një pistë patinazhi, ku morën pjesë qindra qytetarë për të admiruar dhe shijuar pjesë të ëmbëlsirës.
Ideja i përket mjeshtrit të ëmbëlsirave Youssef El Ghatou, i cili ka rrëfyer se frymëzimi i tij erdhi nga dashuria e hershme për Rekordet Botërore Guinness, përcjell Top Albania Radio.
Projekti mobilizoi më shumë se 20 pastiçierë nga dyqane të ndryshme dhe kërkoi një javë punë intensive, ndërsa vendosja e saj në shesh zgjati gjithë natën dhe pjesën më të madhe të ditës.
Pas certifikimit të rekordit, atmosfera u bë akoma më festive me luajtjen e himnit kombëtar francez, ndërsa kryebashkiaku i Argenteuil, Georges Mauthron, deklaroi:
Është një ëmbëlsirë thellësisht franceze, por mbi të gjitha, ky rekord është një nderim për komunitetet tona dhe traditat e bukura të rajoneve tona.”
Torta peshoi gjithsej 1.2 ton dhe përveç thyerjes së rekordit, u shndërrua në një simbol krenarie dhe bashkimi për qytetin. /Katror.info
Përgatiti:
