Një shkëmb guri dhe mbi të shtëpi të gdhendura me dorë me dritare të vogla, njëra mbi tjetrën. Nga larg duken si koshere blete apo kodër milingonash dhe vetëm vrimat e vogla në gur tregojnë se dora e njeriut ka ndërhyrë në shkëmb.
Është një pamje e pabesueshme që përshëndet vizitorët në fshatin Kandovan në veriperëndim të Iranit, një nga fshatrat më të pazakontë në botë. Fshati Kandovan është i banuar prej qindra vitesh dhe është një nga fshatrat e paktë të shpellave ku njerëzit jetojnë edhe sot, shkruan Katror.info.
Fshati Kandovan daton në shekullin e 13-të. Emrin e ka marrë nga fjala Kando që fjalë për fjalë do të thotë “bletë në koshere”. Ndodhet në malin Sahand, një nga më të rëndësishmit në Iran. Ka disa histori për origjinën e saj. Më realisttja thotë se shpella u gërmua nga banorët e fshatrave të afërta që po iknin nga pushtuesit mongolë.Në lokacionin e ri refugjatët u vendosën duke ndërtuar shtëpi me dorë në terrenin e vështirë dhe shumë prej tyre janë ruajtur deri më sot.
Sipas versioneve të tjera, banorët fillestarë ishin nomadë, të cilët gërmuan shtëpi në shkëmb që i përdornin si shtëpi të përkohshme dhe vetëm më vonë i banuan përgjithmonë. Përmendet gjithashtu se shkëmbi, për shkak të pozicionit të mirë, përdorej nga luftëtarët që gërmonin shtëpi dhe rregullonin një strehë për rojet.
Fshati është një shembull i rrallë i banesave artificiale në shkëmbinjë, të cilët banohen edhe sot. Sipas regjistrimit të vitit 2006, në fshat jetonin 168 familje ose 601 banorë. Formacione të ngjashme gjenden në Kapadokia. Kjo është arsyeja pse Kandovan shpesh përmendet si një version më i paprekur, më pak i populluar i fshatit Goreme në atë provincë turke. Vullkani është përgjegjës për formën e pazakontë, konike të shtëpive në shkëmb. Gjatë shpërthimit të Sahandit, rrymat piroklastike formuan shkëmbinjtë e Kandovanit dhe me kalimin e kohës, për shkak të erozionit të ujit, u formuan shkëmbinj në formë koni.
Shkëmbinjtë në të cilët janë ndërtuar shtëpitë janë formuar nga hiri dhe mbeturinat vullkanike pas shpërthimit të malit Sahand. Përveçse janë të pazakonta, këto shtëpi janë jashtëzakonisht efikase në energji dhe kërkojnë shumë pak ngrohje ose ftohje shtesë gjatë gjithë vitit. Vendasit thonë se shkëmbinjtë ruajnë temperatura të këndshme edhe gjatë vapës së verës dhe ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme gjatë dimrave të ashpër për të cilët njihet ky rajon.
Pavarësisht se është mjaft i izoluar dhe pak më i vështirë për qasje, turistët po e zbulojnë gjithnjë e më shumë këtë fshat të pazakontë. Vizitorët mund të rezervojnë turne për të eksploruar fshatin dhe për të hyrë vetë në shpella.
“Vendasit do t’ju mirëpresin në shtëpi ku mund të blini ëmbëlsira, suvenire dhe çaj tradicional që nuk do t’i gjeni askund tjetër në botë”, sipas faqes së internetit Visit Iran. Disa shtëpi janë të disponueshme me qira.
Çdo dhomë në shtëpitë e shkëmbinjve, si kuzhina, korridori ose dhoma, është e punuar me dorë nga guri. Secila ka dritare të vogla të zbukuruara me xham me ngjyra. Shumica e shtëpive janë dy kate, e disa tre-katër, por nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën nga brenda, por në çdo kat hyhet nga rruga. Popullsia ndërtoi shtëpi, dyqane, depo dhe punishte brenda këtyre shkëmbinjve, kështu që sot fshati ka pothuajse të gjitha objektet, si banjë publike, shkollë, xhami dhe mulli./Katror.info