Në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj u përmbyll gara “Ushtari më i mirë 2025”, e cila u zhvillua nga 21 deri më 25 prill. Në këtë garë morën pjesë 44 konkurrentë, prej tyre 23 nga vende të ndryshme dhe 21 nga Forca e Sigurisë së Kosovës, shkuran Katror.info.
Pas përfundimit të të gjitha disiplinave të parashikuara në garë, u shpallën edhe fituesit. Nga radhët e FSK-së, vendi i parë i takoi OR2 Endrit Shatrollit nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë. Në vend të dytë u rendit OR2 Arbnor Istrefi nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë, ndërsa vendin e tretë e zuri OR3 Aurent Hodaj nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë.
Në kategorinë e pjesëmarrësve ndërkombëtarë, vendi i parë i takoi E4 Jan Vajncer nga Kroacia. Pas tij u rendit ushtari Hil Mala nga Shqipëria, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua SSG Lucas Peterson nga Garda Kombëtare e Ajovas së SHBA.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe ushtarakë nga Kosova dhe vende partnere. Pjesëmarrësit u përshëndetën me fjalë rasti nga përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe komandës së FSK-së.
Gara “Ushtari më i mirë 2025” u organizua nga rreshter majorët e Komandave dhe njësive të FSK-së, nën drejtimin e rreshter majorit Bedri Zuka. Pjesëmarrësit garuan në disiplina të ndryshme fizike dhe taktike, si testi fizik, gjuajtja me armë, navigimi tokësor, poligoni i besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.
Në garë morën pjesë përfaqësues nga Kosova, SHBA, Shqipëria, Kroacia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Përmes kësaj gare është thelluar bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet pjesëtarëve të FSK-së dhe ushtrive të vendeve partnere./Katror.info