Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka fituar çmimin vjetor të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për shëndetësi me storien “rrugët e infeksioneve”.
Ajo tha se raportimi për shëndetësi është një nga raportimet më të rëndësishme që gazetarët mund të bëjnë si dhe ndihet e nderuar nga juria që e vlerësoi me këtë çmim.
“Rrugët e infeksioneve” tregon se mungesa e investimeve në nyjat sanitare në QKUK, menaxhimi i higjienës nga kompania private dhe mungesa e plotë e kontrollit të infeksioneve spitalore janë çështje që kërkojnë zgjidhje urgjente nga spitali më i madh publik në vend, por që ky institucion as ka evidencë e as plan se si do t’i adresojë këto problematika.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në partneritet të ngushtë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, me mbështetjen e Fondit Evropian për Demokraci, Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë,Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur,Zërit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, ndanë Çmimet Vjetore për Gazetari – 2023.
Nëpërmjet këtyre çmimeve synohet t’i nderojnë gazetarët që publikuan storje në vitin 2023, qoftë në mënyrë të pavarur, qoftë si punonjës të mediumeve të ndryshme. Synimi është që të vlerësohen raportimet mediatike për të inspiruar gazetarët që të vazhdojnë mbulimin e çështjeve të rëndësishme për audiencën./Katror.info