Që nga viti 2011, Garda Kombëtare e Iowas ka ndërtuar partneritet të ngushtë me Kosovën përmes Programit të Partneritetit Shtetëror, duke krijuar lidhje të forta ushtarake ndërmjet dy vendeve.
Ambasada e Amerikës në Kosovë, njofton se në kuadër të këtij bashkëpunimi, Kosovën e ka vizituar së fundmi Gjeneral Major Stephen Osborn. Gjatë qëndrimit të tij, ai është takuar me përfaqësues të Nënkomitetit për Mbrojtje dhe Siguri të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kosovë, si dhe me zyrtarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara – nga Zyra për Bashkëpunim në Mbrojtje dhe Zyra Ekonomike, përcjell Katror.info.
Siç thuhet në këtë takim u diskutua për mundësitë e fuqizimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë dhe përkrahjen e Planit të Tranzicionit Gjithëpërfshirës dhjetëvjeçar të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Pala amerikane dhe ajo kosovare u pajtuan për rëndësinë e avancimit të sigurisë rajonale, promovimin e industrisë amerikane dhe thellimin e përkushtimit të përbashkët për siguri dhe mirëqenie.
Ky takim u cilësua si hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik mes dy vendeve. /Katror.info
Përgatiti:
