Promovimi i krijimtarisë muzikore në vend, si dhe mbështetja e muzikës tradicionale shqiptare me materiale të reja muzikore që bazohen te tradita dhe sjellin risi, janë synimet e çmimit “Gjerdani i artë”
Për ta ruajtur muzikën tradicionale si dhe përcjelljen e saj nga brezi në brez, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i Shqipërisë ka vendosur të realizojë konkursin “Gjerdani i artë”, nëpërmjet të cilit synohet promovimi i krijimtarisë muzikore në vend, si dhe mbështetja e muzikës tradicionale shqiptare me materiale të reja muzikore, që bazohen te tradita dhe sjellin risi.
Tri veprat më të mira do të vlerësohen me çmime, ndërsa dhjetë krijimet më të vlerësuara nga juria, pjesëmarrëse në konkurs, do të interpretohen në një koncert premierë nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjithë kompozitorët shqiptarë.
“Konkursi është i hapur për kompozitorët profesionistë shqiptarë në gjithë hapësirën mbarëkombëtare që kanë përfunduar studimet për kompozicon, pa kufizim moshe. Çdo kompozitor lejohet të paraqesë 2 krijime për kor “a capella”.
Partiturat duhet të jenë të notizuara me kompjuter dhe të paraqiten në format elektronik. Në dosjen e aplikimit, përveç partiturave të krijimeve paraqitet edhe një CV e kompozitorit si dhe diploma e studimeve për kompozicion”, shkruhet në kriteret e konkursit. Sipas tij, krijimet muzikore duhet të jenë të mbështetura mbi motive popullore këngësh nga gjithë hapësira mbarëkombëtare.
“Kohëzgjatja e krijimit të jetë nga 3-5 minuta. Çmimi i parë ‘Gjerdani i artë’ do të jepet për krijime për kor e orkestër si dhe kor, solist e orkestër. Çmimi i dytë ‘70-vjetori i TKOB’ do të jepet për krijime për kor ‘a capella’ e solist. Çmimi i tretë, për krijime për kor ‘a capella’”, shkruhet në njoftim. Aplikimet do të jenë të hapura deri më 18 janar për kompozitorë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, pa limit moshe, shkruan atsh./Katror.info