Berat Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe një nga pikat kyçe të Atalantës, ka refuzuar së fundmi një ofertë të majme nga klubi Al Rayyan në Katar.
Klubi nga Lindja e Mesme ishte gati të paguante 12 milionë euro për kartonin e mbrojtësit, por Gjimshiti zgjodhi të vazhdojë karrierën në nivelet më të larta të futbollit europian, duke vënë ambiciet sportive përpara përfitimeve financiare.
Vendimi për të mos shkuar në Katar ka rihapur interesimin për kartonin e tij në Evropë, dhe një nga emrat e mëdhenj që ka shfaqur interesim është Milani.
Sipas gazetarit të njohur italian Carlo Pellegatti, kuqezinjtë e shohin Gjimshitin si një alternativë ideale për të forcuar mbrojtjen gjatë fazës së rindërtimit që po kalon skuadra.
“Milan po ndërton një mbrojtje të re, por kujdes emrin e Berat Gjimshitit. Ai është shqiptar si Igli Tare, një lojtar shumë i kujdesshëm dhe me përvojë, që mund të jetë një shtyllë në repartin e pasmë”, shkruan Pellegatti sipas RTK.
Gjimshiti aktualisht është i lidhur me Atalantën deri në vitin 2026, por situata mbetet delikate. Klubi bergamask duhet të vendosë nëse do të ofrojë rinovimin e kontratës apo do të shqyrtojë ofertat këtë verë, për të mos rrezikuar ta humbasë me parametër zero vitin e ardhshëm.
Me përvojën e tij në Serie A dhe karakterin prej lideri në fushë, Berat Gjimshiti mund të jetë një nga lëvizjet më të zgjuara të merkatos verore – sidomos për një Milan që kërkon stabilitet dhe pjekuri në mbrojtje. /Katror.info