Lëvizja FOL me mbështetje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), ka ndarë “Çmimin për Gjykatën më Transparente”,
Ky çmim këtë vit do t’i ndahet Gjykatës Komerciale, si gjykata që ka publikuar më së shumti vendime gjyqësore në raport me lëndët e zgjidhura (Dhoma e Shkallës së Parë ka zgjidhur 4,017 lëndë, ndërsa ka publikuar 2,755 vendime (69 % të lëndëve); Dhoma e Shkallës së Dytë ka zgjidhur 2,222 lëndë, ndërsa ka publikuar 1,710 lëndë (77% të lëndëve).
“Çmimin për Gjykatën më Transparente” i ndahet gjykatës që ka arritur përqindjen më të lartë të publikimit të aktgjykimeve në ueb-faqen e KGjK – së në raport me lëndët e zgjidhura gjatë vitit 2023.
Po ashtu, Lëvizja FOL ka publikuar sot “Raportin mbi Monitorimin e Publikimit të Vendimeve Gjyqësore”, i cili përfshinë gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga Gjykatat e Kosovës për vitin 2023.
Mexhide Demolli – Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se publikimi i aktgjykimeve konsiderohet një prej segmenteve më të rëndësishme të sigurimit të transparencës në sistemin e drejtësisë. Pra nuk mund të flitet për transparencë dhe llogaridhënje në sistemin e drejtësisë, pa publikim të epilogjeve gjyqësore, tha ajo. Ajo theksoi se, edhe kësaj radhe, për të treguar një përqindje të saktë të shkallës së publikimit të aktgjykimeve nga Gjykatat e Kosovës, kemi ndërruar metodologjinë e vlerësimit. Pra kemi nxjerrur nga një përqindje të proporcionit ndërmjet lëndëve të zgjidhura në të gjitha gjykatat gjatë kësaj periudhe, dhe lëndëve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Drejtoresha e INL në Kosovë, Tamra Greig, tha se ndjehet shumë e lumtur me këto të gjetura dhe progresin e bërë nga gjykatat e Kosovës, me ç’rast ka inkurajuar vazhdimin e publikimit të aktgjykimeve. Po ashtu, shprehi gatishmërinë për mbështetjes e INL ndaj sistemit gjyqësor dhe shoqërisë civile, me qëllim që të monitorohet dhe të komentohet performanca e gjyqësorit.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se publikimi i aktgjykimeve jo vetëm që rrit transparencën, por gjithashtu promovon llogaridhënien dhe besimin në sistemin gjyqësor. Duke falënderuar Lëvizjen FOL dhe INL në këtë drejtim, Kryesuesi Zogaj tha se fakti i publikimit të mijëra aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës është dëshmi e përkushtimit të gjyqësorit për të siguruar qasje të plotë për publikun.

Hulumtuesja e Lartë ne Lëvizjen FOL, Albana Hasani, tha se raporti përmban të dhënat nga monitorimi sistematik i publikimit të aktgjykimeve në ueb faqen zyrtare të KGJK-së, gjatë kësaj periudhe një vjeçare. Sipas Hasanit, gjatë vitit 2023, të gjitha gjykatat dhe degët e tyre kanë publikuar mbi 40,000 aktgjykime, një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2022, i cili progres është dëshmi e përkushtimit për transparencë dhe qasje publike. Gjithashtu, Hasani shpjegoj metodologjinë e vlerësimit të aktgjykimeve, ku tregoj se janë krahasuar numrin e lëndëve të zgjidhura dhe numrin e lëndëve të publikuara në secilën gjykatë gjatë vitit 2023.

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, tha se ky çmim është vlerësim i përpjekjeve të stafit të kësaj gjykate, me qëllim të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të qasjes në vendimet gjyqësore, përkundër vështirësive dhe sfidave si gjykatë e re.
Ndërkaq USAID vlerëson se kjo është një arritje e rëndësishme për ta rritjen e transparencës.
“Kjo është një arritje e rëndësishme për USAID-in pas viteve të mbështetjes për të krijuar gjykatën dhe për t’i vënë vendimet e saj të disponueshme për publikun e gjerë përmes mjeteve të reja digjitale. Përmes vendimeve të shpejta dhe transparente, ky institucion ka bërë një rrugë të gjatë për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të bërë biznes dhe një perspektivë më tërheqëse për investime”, thuhet në njofitmin e USAID./Katror.info