Sot është mbajtur ceremonia shtetërore e pritjes ndaj kreut të shtetit të Antigua dhe Barbudas, Guvernatorit të Përgjithshëm Sir Rodney Williams.
Pas ceremonisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim zyrtar Guvernatorin Williams, dhe e cilësoi vizitën si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Osmani shprehu mirënjohjen për njohjen që Antigua dhe Barbuda i bëri Kosovës në vitin 2015, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndësishëm që kontribuoi në përforcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.
“Shpreha mirënjohjen e thellë për njohjen që vendi i tij i bëri Kosovës, një akt që dëshmoi mbështetje parimore për shtetësinë tonë,” tha Osmani.
Në bisedë u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët, si dhe për mbështetjen e mëtejshme të Kosovës në kuadër të komunitetit rajonal të Karaibeve, CARICOM.
“Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt një partneriteti më të fuqishëm në mes shteteve tona,” njoftoi Osmani./Katror.info