Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka hapur sot periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione, një program që synon zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe forcimin e kapaciteteve të mbi 30,000 fermerëve në të gjithë vendin, shkruan Katror.info.
Sipas MBPZhR-së, sektori i bujqësisë do të përfitojë përmes Programit për Pagesa Direkte 2025, me afatin e aplikimit që do të zgjasë 30 ditë kalendarike, duke përfunduar më 2 maj 2025, në orën 16:00.
Një nga risitë e këtij viti është përdorimi i ortofotove më të fundit të vitit 2024, duke sjellë përmirësime të mëdha në digjitalizimin e parcelave dhe kontrollin në terren. Kjo risi pritet të lehtësojë procesin e aplikimit dhe të sigurojë një vlerësim më të saktë të situatës në terren.
Fermerët dhe aplikuesit e interesuar mund të informohen më në detaje mbi procedurat e aplikimit dhe kriteret e vlerësimit përmes faqes zyrtare të MBPZhR-së (www.mbpzhr.rks-gov.net) dhe faqes së Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (https://azhb-rks.net/sq/thirrje-per-aplikim), si dhe në Drejtoritë Komunale për Bujqësi./Katror.info