Gjuha shqipe gjen shtëpi të re në Irlandë, hapet shkolla e parë në Dublin.
Komuniteti shqiptar në Irlandë shënoi një moment historik me hapjen e shkollës së parë shqipe në Dublin, nismë e Albanian Book Lovers Club dhe themeluar nga zonjat Liljana Picari dhe Arjana Rama, transmeton albinfo.ch.
Shkolla nisi aktivitetin më 21 shtator 2025 në Blanchardstown Library, Dublin 15, ku morën pjesë prindër, nxënës dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar. Në mungesë të tij fizike, ambasadori i Shqipërisë në Irlandë, Sh.T.Z. Uran Ferizi, përshëndeti përmes një mesazhi zyrtar dhe konfirmoi mbështetjen e Ambasadës me paketa mësimore.
Nxënësit e parë zhvilluan mësime mbi alfabetin shqip, flamurin kombëtar dhe historinë e shkollës së parë shqipe në Korçë. Mësimi u bazua në materiale nga Qendra e Botimeve për Diasporën, ndërsa pritet të mbërrijnë edhe paketa të tjera nga Ambasada në Londër.
Kjo shkollë konsiderohet një hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare ndër brezat e rinj në diasporë./Katror.info