Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) kanë hapur thirrjen për aplikim për edicionin e katërt të Shkollës për Aktivizëm 2025, shkruan Katror.info.
Ky është një program edukimi profesional i zhvilluar në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile, i cili ka për qëllim të fuqizojë kapacitetet institucionale të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.
Programi ofron trajnim dhe mentorim profesional përmes gjashtë moduleve tematike që trajtojnë fusha të rëndësishme si qeverisja e brendshme, integrimi gjinor, vlerësimi i ndikimit, diversifikimi i fondeve, avokimi pjesëmarrës dhe mobilizimi i komunitetit. Qëllimi është të rritet ndikimi i OShC-ve dhe të forcohet roli i tyre në përfshirjen aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Afati i fundit për aplikim është 22 qershor 2025, deri në orën 23:59. Të interesuarit mund të aplikojnë dhe të gjejnë më shumë informacione në linkun: https://bit.ly/4jDb1TU. Për çdo pyetje apo paqartësi, mund të kontaktoni organizatorët përmes adresës elektronike: [email protected].
Ky aktivitet realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së Suedisë në Prishtinë. Përmbajtja e programit është përgjegjësi e vetme e KCSF dhe CBM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e BE-së apo Suedisë./Katror.info