Duke potencuar se pasojat e një ngërçi të vazhdueshëm politik do të ishin të rënda për Kosovën dhe qytetarët e saj, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka përgëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, për përpjekjet e saja për të zgjidhur ngërçin e mos konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Ramë dakord se pasojat e një ngërçi të vazhdueshëm politik do të ishin të rënda për Kosovën dhe qytetarët e saj. E përgëzova Presidenten Osmani për përpjekjet e saj për të zgjidhur këtë ngërç në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe theksova përgjegjësinë e të gjitha partive politike që të vënë interesin e vendit mbi interesat partiake për të gjetur një zgjidhje”, ka shkruar ai në platformën sociale në Facebook pas takimit me Osmanin.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pikërisht për ngërçin politik në raport me Kuvendin e Kosovës.
Ajo kërkoi nga Kushtetuesja masë të përkohshme për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si dhe dorëzoi kërkesë për shqyrtimin e konfliktit të kompetencave kushtetuese, të krijuara si pasojë e mungesës së konstituimit të Kuvendit.
Osmani e justifikoi këtë lëvizje si parandaluese, për të shmangur një situatë ku Kuvendi dhe Qeveria do të mund të formoheshin jashtë afatit dhe në kundërshtim me Kushtetutën./AP/Katror.info