“Ka nisur si hobi dhe tani më është bërë profesion, e dikur stil jete. Kam nisur kur nuk ka pasur as trepikësh, as semaforë, as kosh me faul. Kam vazhduar në ligat e një shteti që sot as nuk ekziston, dhe në ligat e një shteti që po e themelonim vetë, pa ditur kur ajo ëndërr do të realizohej. Kam luajtur në beton, në sallat e sporteve, në palestrat e shkollave fillore, kam transmetuar Ligën e Kosovës nga sallat e ftohta me telefon statik për radio. Kam transmetuar NBA-n dhe Lojërat Olimpike”, rrëfen Blerim Vuniqi, ish-basketbollist dhe gazetar sportiv me përvojë të gjatë në Kosovë.
Në episodin e dytë të dokumentarit “4 Çerekët”, Vuniqi dhe Valdet Spahija ndajnë histori të padëgjuara më parë për basketbollin e Kosovës, duke sjellë në pah momente të veçanta dhe shpesh të vështira të karrierës së tyre.
“Më kujtohet ai moment kur ngarkohem me personalin e pestë, faulohem nga Koriça apo Petroviqi, ai i ngrit pesën me gishta, dhe menjëherë e ngrit edhe katrën – pra edhe numrin nëntë – dhe më largon nga loja”, kujton Vuniqi.
Ndërsa Spahija rikthen një episod të ndeshjes kundër Kumanovës në Nish: “Një refer i njohur në atë kohë për manipulime dhe dallavere në Jugosllavi, Koriça ka qenë. Në pesë minutat e fundit doli në pah dhe filloi të anojë për Kumanovën në mënyrë drastike. Fillimisht u largua Zekolli, pastaj edhe Vuniqi.”
Vuniqi kujton gjithashtu një moment emocional pas një ndeshjeje: “Unë si i ri, nuk e di çfarë reagimi kisha pas përfundimit të lojës. Sulmova gjyqtarin Petroviq, pastaj e hoqa fanellën, sikur askush të mos e kishte parë se çfarë po ndodhte. Dhe u dënova një vit për shkak të atij incidenti.”
Autor dhe producent i dokumentarit është Leart Hoxha, ndërsa intervistat janë realizuar nga vetë Blerim Vuniqi. Prodhimi është i Katror Media dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./Katror.info.