Sot u mbajt ceremonia e inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.
Ceremonia u mbajt në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, tek objekti i ish-Qendrës për Studime Universitare të FSK-së.
Në këtë inaugurim morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zyrtarë dhe oficerë të lartë të MM/FSK si dhe të vendeve partnere ndërkombëtare.
Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike ka infrastrukturën ligjore lidhur me sigurinë kibernetike, duke përfshirë edhe Kurrikulën trajnuese për Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.
Themelimi i kësaj Qendre do t’i shërbejë sigurisë kombëtare për luftimin e sulmeve dhe kërcënimeve hibride, që tani është duke u përballur Kosova, kërcënime dhe sulme këto që tani janë edhe të përmasave globale.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh i lumtur për inaugurimin e Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë.
“Epoka digjitale ka sjellë mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha për mbarë njerëzimin. Nga sulmet kibernetike të sponsorizuara nga shtetet jodemokratike, deri te rrjetet e sofistikuara të krimit kibernetik, bota ballafaqohet me situata të cilat kanë ndikim në ekonomitë e shteteve që cenojnë procese demokratike dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe përderisa teknologjia vazhdon të përparojë, hendeku i aftësive në fushën e sigurisë kibernetik shkon duke u zgjeruar. Trajnimi dhe edukimi i profesionistëve dhe përdoruesve të teknologjisë është rruga e vetme për kapërcimin e këtij hendeku, në mënyrë që ata të pajisen me njohuritë dhe mjetet që u nevojiten për t’u mbrojtur në mënyrë efektive nga kërcënimet kibernetike”, tha Kurti./Katror.info