India po teston inteligjencën artificiale (AI) për të ndërtuar modele klimatike për të përmirësuar parashikimin e motit, pasi shirat e rrëmbyeshëm, përmbytjet dhe thatësirat kanë përfshirë vendin, tha një zyrtar i lartë meteorologjik.
Ngrohja globale ka nxitur motin më ekstrem në Indi vitet e fundit, për të cilin Qendra e pavarur për Shkencën dhe Mjedisin vlerëson se ka shkaktuar vdekjen e afro 3,000 njerëz këtë vit.
Agjencitë e motit në mbarë botën janë duke u fokusuar në inteligjencën artificiale, e cila mund të ulë kostot dhe të përmirësojë shpejtësinë, dhe për të cilën Zyra Meteorologjike në Mbretërinë e Bashkuar thotë se mund të “revolucionarizojë” parashikimin e motit, me një model të fundit të financuar nga Google që po dëshmon se i tejkalon metodat konvencionale.
Parashikimi i saktë i motit është veçanërisht i rëndësishëm në Indi, një vend me 1.4 miliardë banorë, shumë prej tyre të varfër dhe prodhuesi i dytë më i madh në botë i orizit, grurit dhe sheqerit.
Departamenti Meteorologjik i Indisë (IMD) ofron parashikime të bazuara në modele matematikore duke përdorur superkompjuterë. Përdorimi i inteligjencës artificiale me një rrjet të zgjeruar vëzhgimi mund të ndihmojë në gjenerimin e të dhënave më të mira të parashikimit me një kosto më të ulët.
Departamenti pret që modelet dhe këshillimet e klimës që po zhvillohen bazuar në inteligjencën artificiale të ndihmojnë në përmirësimin e parashikimeve, tha K S Hosalikar, kreu i kërkimit dhe shërbimeve klimatike në IMD.
Zyra meteorologjike përdori inteligjencën artificiale për të gjeneruar paralajmërime publike rreth valëve të të nxehtit dhe sëmundjeve si malaria, tha Hosalikar. Ai ka në plan të rrisë observatorët e motit, duke ofruar të dhëna deri në nivelin e fshatit, duke ofruar potencialisht të dhëna merezolucion më të lartë për parashikimet, tha ai. /Katror.info