Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përfunduar furnizimin e institucioneve publike, shkollave të muzikës, teatrove, universiteteve dhe shtëpive të kulturës me instrumente të reja muzikore, në një vlerë afër 1 milion euro.
Në kuadër të këtij projekti janë dhuruar gjithsej 118 instrumente dhe 130 pajisje përcjellëse për 29 institucione kulturore dhe arsimore në gjithë Kosovën. Instrumentet përfshijnë grand piano, piano elektrike, pianino, kontrabasë, instrumente të perkusionit dhe pajisje të tjera mbështetëse.
“Blerje masive të këtij lloji nuk ka ndodhur më parë në vendin tonë. Kjo është vetëm faza e parë e blerjeve, ndërsa faza e dytë parashikon furnizimin me instrumente shtesë për të kompletuar nevojat e komunitetit muzikor”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Instrumentet janë shpërndarë në institucionet kryesore të artit dhe kulturës, përfshirë Filharmoninë e Kosovës, Operan dhe Baletin e Kosovës, Teatrin Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare, Ansamblin “SHOTA”, shkollat e muzikës në qytete të ndryshme, universitete publike dhe teatro lokalë.
Lista e plotë përfshin instrumente si:
- Grand Piano dhe Piano Elektrike për Filharmoninë e Kosovës, Teatrin Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare dhe universitete të ndryshme;
- Baby Grand Piano për shumicën e shkollave të muzikës dhe teatrove në vend;
- Instrumentariume të perkusioneve, kontrabasë, celesta dhe pultet hidraulike për operën dhe institucionet profesionale.
Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të edukimit dhe artit muzikor në Kosovë, duke ofruar kushte moderne për nxënës, studentë dhe artistë./Katror.info



 
			



 
                                
                             

