Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare të Kosovës, u zhvillua koncerti i radhës në kuadër të Prishtina International Vocal Festival, një mbrëmje që u karakterizua nga një harmoni e veçantë kulturash, zërash dhe energjish artistike të dhuruar nga kori ‘InterBalkanChoir’nën drejtimin e dirigjentëve Hajrullah Syla dhe Mary Konstatinidou, shoqëruar në piano nga Andi Duraku.
Koncerti u hap nga kori i fëmijëve ’Okarina’, i cili ngjalli atmosferë gëzimi dhe freskie në publik. Si kor mysafir, ata sollën një hyrje të ngrohtë dhe plot ndjenja, duke i dhënë publikut një atmosferë optimiste dhe fëmijëror.
Pas performancës së korit ’Okarina’, në skenë u ngjit InterBalkanChoir, një ansambël që mishëron frymën e bashkëpunimit kulturor ndërmjet vendeve të Ballkanit. Ata e hapën programin me ‘Ballade to the Moon’dhe ‘Lullaby’ nga cikli ‘Three Nocturnes’ i kompozitorit Daniel Elder, duke sjellë një ndjesi delikate që menjëherë pushtoi sallën.
Më pas, publiku pati mundësinë të shijonte elegancën e veprës ‘Madrigal’ të Gabriel Fauré, e cila u pasua nga tingujt impresionistë të Claude Debussy, në veprën ‘Yver, Vous n’estes qu’un villain’.
Në vijim, kori interpretoi ‘Salve Regina’ të kompozitorit kosovar, Kushtrim Gashi, një vepër që solli solemnitet dhe thellësi shpirtërore. Po aq mbresëlënëse ishte edhe ‘Me to lyxno tou astrou’ e Mikis Theodorakis, që përcolli atmosferë greke dhe fuqinë e emocioneve mesdhetare.
Kori vazhdoi me ‘I love my love’ të Gustav Holst dhe ‘Caprice’ të Emma Lou Diemer, dy vepra që dëshmuan mjeshtërinë vokale dhe dinamikën artistike të ansamblit.
Interpretimi i ‘Damjan tanec Vodi’ të Alexander Morfov solli në skenë ritmet dhe ngjyrat karakteristike të traditave ballkanike, për të kaluar më pas në një moment me emocional ku kori interpretoi ‘Debora zbardhi malet’ të Edmond Doko, që mbushi sallën me frymë shqiptare dhe nostalgji të melodive tona popullore.
Në fund, publiku u përfshi nga ndjesia e veprës ‘To sit and dream’ të Rosephanye Poëell, për t’u përmbyllur më pas koncerti me ‘Time’ të Jennifer Lucy Cook, një vepër bashkëkohore që ndërthur energjinë, ndjeshmërinë dhe përkushtimin artistik të të gjithë interpretuesve.
Pas koncertit, për KultPlus foli dirigjentja Mary Konstatinidou, e cila tha se megjithse ky kor përfshin pjesëtarë nga vendet e Ballkanit, në program janë munduar të përfshijë edhe vepra ndërkombëtare.
“Ne po planifikojmë që të bëjmë më shumë koncerte nëpër Ballkan me të njëjtin program sepse neve na pëlqen shumë kjo ide e një kori ballkanik që këndojnë së bashku, jo vetëm pjesë nga vendet e Ballkanit por edhe nga literatura ndërkombëtare.Ne u përpoqëm që të përfshijmë vepra nga çdo vend por edhe nga repertori ndërkombëtar. Në këto tri vitet e fundit unë kam performuar në Kosovë gjashtë herë, kam krijuar shumë miq, më pëlqen kualiteti dhe gjithçka këtu”, u shpreh Konstatinidou.
Ndërkaq, dirigjenti Hajrullah Syla, tha për KultPlus, se ky koncert, me këtë program që përfshinte shumë vepra që ishin premierë për publikun kosovar, ishte i menduar gjatë bashkë me dirigjenten Konstatinidou.
“Këtë koncert e kemi pasur plan tash e sa kohë bashkë me dirigjenten Mary Konstatinidou duke e pasë parasysh që InterBalkanChoir është krijuar në vitin 2022 me iniciativën time dhe të Maryt dhe ky koncert në Prishtinë ka qenë gjatë i menduar. Ne kemi pasur paraqitje me këtë kor në Selanik në Greqi dhe disa paraqitje me një program shumë voluminoz. Ndërsa ky program është shumë i veçantë sepse pothuajse të gjitha veprat ishin premierë për publikun kosovar”, tha Syla, i cili theksoi më tutje se shpreson se edhe publiku e ka shijuar koncertin po aq sa e kanë shijuar edhe performuesit.
Pasi përcjelli pothuajse të gjitha pjesët e koncertit në piano, për KultPlus foli edhe pianisti Andi Duraku i cili vjen në këtë koncert për herë të parë në bashkëpunim me InerBalkaChoir.
“Prej gjithsej 11 pjesëve që u interpretuan sot, shtatë prej tyre ishin në përcjellje të pianos dhe secila pjesë ishte stil më ndryshe prej tjetrës. Programi ishte i ndërtuar në atë formë që të prezantojë sa më shumë kultura dhe sa më shumë stile”, tha Duraku duke shtuar mes tjerash shprehet i lumtur për bashkëpuimin e tij me InterBalkanChoir dhe dirigjentët Syla e Konstatinidou.
Prishtina International Vocal Festival u përmbyll të martën me mbrëmjen Opera Tango – Maria de Buenos Aires të Astor Piazzolla./KultPlus.com