Inxhinierja e softuerëve Miana Vindal ka rreth 25 implante nën lëkurën e saj – nga magnetet tek teknologjia RFID. Në pjesën më të madhe, këto implante nuk bien në sy, por mund të përdoren për disa veprime që lehtësojnë jetën dhe punën e përditshme.
RFID mundëson teknologjinë e skanimit, të tilla si karta të ndryshme verifikimi ose shërbime “tap to pay”. Teknologjia u patentua për herë të parë në vitet 1970, por pavarësisht potencialit të saj për të qenë të dobishëm, implantet RFID nuk e kanë arritur ende potencialin e tyre të plotë, shkruan Katror.info.
Megjithatë, këto implante nuk janë magjike. “Implantet e çipave nuk funksionojnë si në filmat e Hollivudit. Ato nuk janë as aktivë apo funksionalë kur nuk ka lexues afër,” thotë Amal Grafstra, themeluese e shërbimit të biohakimit dhe implanteve Dangerous Things.
Kjo do të thotë se diapazoni i përdorimit të implanteve RFID është mjaft i kufizuar, sepse është kryesisht teknologji bazë, kështu që përdoruesi duhet të hakojë veten që të jetë i dobishëm. Teknologjia aktualisht përdoret kryesisht si një çelës – si kartat Tesla për zhbllokimin e makinave.
Kompanitë aktualisht po eksplorojnë mënyra për të përdorur implantet RFID si mjete sigurie. Ekziston një cenueshmëri e natyrshme e lidhur me teknologjinë RFID, pasi ajo kërkon kredenciale të qasjes që mund të jenë të ndjeshme ndaj vjedhjes. Por të kesh këto kredenciale si një implant të paktën parandalon dikë që të vjedhë me lehtësi kartën ose informacionin tënd të qasjes.
“Gjasat që dikush të jetë në gjendje të skanojë kredencialet tuaja pa e ditur ju, ndoshta nuk janë aq të mëdha. Ata nuk mund t’ju vjedhin krahun, të paktën jo pa një hanxhar”, thotë Miana Vindall në një intervistë.
Për më tepër, ndërsa verifikimi bëhet më i rëndësishëm në parandalimin e qasjes së paautorizuar në llogari, këto implante mund të përdoren për të vërtetuar identitetin e një përdoruesi. Kompanitë duan të mbështeten më pak në vërtetimin me dy faktorë për çelësat e qasjes, kështu që futja e atyre kredencialeve nën lëkurën e një përdoruesi do të ishte e mundur./Katror.info